Behrami përjashtohet nga Petković, zbulon arsyet e largimit

Valon Behrami, mesfushori i njohur shqiptar, ka thënë se është përjashtuar nga kombëtarja zvicerane nga përzgjedhësi Vladimir Petković.

Në një intervistë për “RSI Sport”, Behrami ka thënë se kishte pranuar një thirrje nga Petković.Ai është ndjerë tepër i zhgënjyer nga ky vendim dhe tregoi se gjithçka është politike dhe vendimin ia komunikuan vetëm nëpërmjet një telefonate.

Advertisement

“Mendoja se ishte thirrje normale, por në vend të kësaj më përjashtoi. Kjo është zgjedhje politike, trajneri mund të thotë gjithçka”, ka thënë Behrami.

Gjithashtu ai ka treguar se në ftohjen e marrëdhënieve mes trajnerit dhe futbollistëve shqiptarë ka ndikuar edhe simboli i shqiponjës që bënë Shaqiri dhe Xhaka në ndeshjen kundër Serbisë.

“Pajtohem. Ai gjest na ndau neve, tregoi një anë tjetër tonën. Ne jemi duke shkuar në një drejtim dhe duamë të krijojmë një ambient të mirë rreth nesh, gjë që e bën krenar Zvicrën. Pastaj u larguam nga Kupa e Botës. Në këtë pikë, është e lehtë të kritikosh, të gjesh një ndarje mes nesh. Neve na thanë se e preferojmë një komb më shumë se tjetrin, por ne e kemi dëshmuar se ne i përkasim vetëm një kombësie. Ne gjithmonë e kemi përgjegjësinë si zviceran, si në fitore ashtu edhe në humbje.”, tha Behrami.

Sipas tij ky është një vendim politik dhe kjo e ka bërë Behramin që të shpërthejë kundër kombëtares me deklarata të forta.

“Është një vendim politik. Unë gjithmonë e kam mbrojtur veten kundër njerëzve që nuk e kuptojnë se çfarë është futbolli. Ju nuk keni luajtur asnjëherë futboll! Ky është problem i madh me shoqatat e Zvicrës. Ata gjithmonë tentojnë të ruajnë pozitat e tyre, por nuk e kanë asnjë ide se si ndjehen lojtarët. Njerëzit thonë se ne kurrë nuk u munduam. Kjo më lëndon. Por e di, kështu është. Në të njëjtën kohë, e gjitha kjo nuk është problem shumë i madh për mua. Tani kam më shumë kohë për vajzat dhe gruan time. Isha i pasigurt gjatë vendimmarrjes, kështu që nuk është në pyetje egoizmi. Unë jam 33-vjeçar, me siguri do të pensionohesha kur të jem 35- vjeçar. Nuk ka asnjë problem. Gjithmonë kam provuar të japë më të mirën time, ju e keni parë këtë gjë. Në fillim ishte e vështirë, por pastaj reagova fuqishëm. Dua ta përsëris edhe një herë: unë gjithmonë kam marrë përgjegjësi. Edhe sot, po ashtu. Qëndroj faqebardhë dhe them se është gabim të më tregoni në këtë mënyrë se nuk jam më pjesë e projektit tuaj. Dua të ma thonë këtë vendim ballë përballë. Kjo gjë nuk ndodhi. Të gjithë e panë se çfarë ndodhi pas ndeshjes kundër Suedisë. Dhe tani duket se kjo ka çuar deri te ky vendim. Por unë kam thënë: Qëndroj këtu, nuk dua t’iu ndodhin gjëra të këqija. Unë mund të largohem, udhëtimi im është afër përfundimit. Njerëzit të cilët u prekën nga kjo gjë, më telefonuan për të kërkuar ndihmë. Unë i dola në ndihmë.”, përfundon ai.