Basha: Zgjedhjet e 21 qershorit dështuan. Dekriminalizim për të ndryshuar kurs

Zgjedhjet e 21 qershorit kanë qenë në fokusin e fjalimit të kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, ku nuk munguan kritikat.

“Në zgjedhjet e fundit u regjistrua përdorimi më masiv i parave të pista për blerjen e votës. Zgjedhjet e 21 qershorit mbetën në klasë dhe kjo, jo vetëm në opinionin e opozitës, por edhe europarlamentarëve më të përkushtuar ndaj Shqipërisë”, ka deklaruar Basha.

Advertisement

Për më tepër, ka theksuar ai, Uashingtoni dhe Brukseli sot janë të skandalizuar nga karshillëku i kryeministrit, që kandidoi në zgjedhje njerëz të botës së krimit.

“Ky kryeministër e ka treguar se nuk i intereson as shteti ligjor, as Uashingtoni e as Brukseli. Rama dhe Meta mbyllen për t’u pasuruar përmes aferave dhe klientelave të tyre”, ka thënë Basha.

Ai është shprehur se, u takon shqiptarëve të reagojnë dhe të marrin në dorë fatin e tyre dhe atë të vendit. Gjithashtu, për ndërrimin e kursit të Shqipërisë, për kryetarin e opozitës ka edhe një kusht: dekriminalizimi.

“Dekriminalizimi është kushti dhe hapi i parë për një demokraci të re. Duam miratimin me konsensus të këtij projektligji, duke reflektuar në të punën e grupeve parlamentare”, ka thënë Basha.

Sikurse deputetët e tij, edhe Basha ka përsëritur akuzat ndaj ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për lidhje me bandat e narkotrafikut, të drejtuara nga kushërinjtë e tij, “të cilëve u del garant për mbarëvajtjen e trafiqeve të tyre”.