Basha: Suli e Leskaj në Kushtetuese, pastaj bisedimet për reformën

Arkiv

Lulzim Basha përforcoi qëndrimin e opozitës sa i takon dialogut për reformën në drejtësi dhe paralajmëroi se demokratët nuk do të kthehen në tryezën e bisedimeve pa u plotësuar më parë kushti i tyre për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të kërkesës për shqyrtimin e mandateve të dy deputetëve socialistë.

“A mund të ketë dialog kur njëra palë në tavolinë nxjerr armën? Sigurisht që jo. Edi Rama në fakt nuk vë armën në tavolinë, por bombën atomike kushtetuese. Po diskutojmë që të bëjmë disa ndryshime në Kushtetutë për drejtësi më të pavarur, për rregulla kushtetuese dhe ligjore, ndërkohë që Rama thotë që nuk dua të zbatoj rregullin aktual, që thotë se nëse një deputet kapet me fondet publike shkon në Gjykatën Kushtetuese”, tha Basha.

Advertisement

Kreu i demokratëve përmendi për këtë vendimin e Kushtetueses në rastin e shqyrtimit të mandatit të deputetit Koço Kokëdhima.

“Nuk negociohet as Kushtetuta dhe as vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Pa zbatuar vendimin, dialogu me Edi Ramën është baraz me dialog me terroristët dhe Partia Demokratike nuk dialogon me terroristët”, u shpreh Basha.

Kokëdhima nuk ishte i vetmi. Demokratët kanë depozituar në Kuvend kërkesën për dërgimin për shqyrtim në Kushtetuese edhe mandatet e Rakip Sulit dhe Valentina Leskajt.

“Rakip Suli jep me qira ndërtesën e tij për OSHEE apo Valentina Leskaj që merr 1/3 e hekurudhës për djalin e saj. Gjykata Kushtetuese duhet të marrë në shqyrtim këto dy raste, por Edi Rama refuzon të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur korrupsionin, ashtu siç mbrojti krimin, sepse këto janë dy këmbët e pushtetit të tij”, tha ai.

Lidhur me vizitën në SHBA, kreu i demokratëve, në një bashkëbisedim me gazetarët tha se kishte marrë garancitë për këtë nga zyrtarët e administratës Obama dhe kongresmenët amerikanë.

“Byroja Kombëtare e Hetimit në veçanti dhe reforma në drejtësi do të kryhen sipas rekomandimeve të Venecias, sipas standardit europian. Askush nuk do të ndalë, deformojë apo devijojë këtë vullnet që në fakt buron nga qytetarët shqiptarë për të pasur një drejtësi të pavarur nga politika dhe në gjendje që të vendosë politikën para drejtësisë”, deklaroi ai.

Basha akuzoi kryeministrin Rama se ka kapur tashmë drejtësinë dhe se ajo që PD po kërkon përmes reformës në drejtësi, është që të mos çimentohet kjo kapje.

Sipas Bashës, reforma në drejtësi nuk është qëllim në vetvete, por t’i japë fund krekosjes dhe arrogancës qeverisëse, që sipas tij po u vjedh shqiptarëve edhe kacidhen e fundit nga xhepi.

Ndër të tjera, Basha tha se kishte siguruar mbështetjen amerikane dhe garancinë e tyre që ligji i dekriminalizimit do të zbatohet, por edhe angazhimin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.