Basha: Statkraft realizoi vizionin e Partisë Demokratike

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar lidhur me nisjen nga puna të HEC Banja, duke deklaruar se ai ka qenë vizion i Partisë Demokratike. “Është një ditë përgëzimi për një kompani e cila në vitin 2009, falë vizioni, planit dhe programit të qartë të qeverisë së Partisë Demokratike për energjitikën në vend, u kthye në investitorin më të madh të huaj në Shqipëri, në një sektor strategjik, siç është sektori i energjitikës”, ka thënë Basha. Ai gjithashtu ka shprehur përgëzime për ndërtimin e rrjetit rrugor si pjesë e koncensionit. Sipas Bashës kanë qenë këto pjesë të programit të qeverisë demokratike që kanë mbajtur gjallë investimet e huaja në vend edhe gjatë 3 viteve të qeverisjes Rama. Lulzim Basha tha se edhe të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në 6 mujorin e parë të këtij viti investimet e huaja kanë rënë edhe me 10 % më pak sesa 6 mujori i vitit të kaluar. “I thoni Edi Ramës të zbresë volumin e investimeve të “Hidropoëer Devoll”, të zbresë volumin e investimeve të TAP-it dhe të na tregojë sa është shifra e investimeve që ka sjellë në Shqipëri në këto 3 vite. Është 10 herë herë më e vogël vit për vit se sa viti më i keq i investimeve në 8 vite paraardhëse. Dhe pse vjen kjo?! Sepse ai është përkujdesur dhe ka mbështetur vetëm investimet e klientëve të tij që po zaptojnë gjithcka nga veriu në jug, nga bregu i detit në majat e maleve. Investimet e tij të vetme janë fasadat, gjysma e parave të të cilave përfundojnë në xhepat e klientëve të tij. Dhe bumi i investimeve të tij është droga, është kthimi i Shqipërisë në një plantacion gjigand droge”, përfundoi Basha deklaratën e tij.

Advertisement