Kryetari i PD, Lulzim Basha, duke drejtuar mbledhjen e grupit parlamentar demokrat ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka shkelmuar konsensusin për reformën në drejtësi pasi synon kapjen e drejtësisë.
“Reforma në drejtësi është një nga detyrat më të mëdha për hapjen e negociatave me BE-në dhe vizioni ynë është për një drejtësi pa gjyqtarë e prokurorë të korruptuar dhe të pakapur nga politika”, ka deklaruar Basha.
Por kryeministri Rama, ka thënë ai, vazhdon të sfidojë vullnetin e Perëndimit për këtë reformë të rëndësishme.
“Edi Rama dhe kupola e tij vazhdojnë të shartojnë vullnetin europian me atë amerikan për reformën e drejtësisë. Rama dhe kupola e tij synojnë të kapin drejtësinë me një draft parafabrikat”, ka pohuar Basha.
Kreu i partisë më të madhe të opozitës ka bërë me dije se, PD do vazhdojë të insistojë deri në fund për konsensus mbi draftin e Komisionit të Venecias, i vetmi që sipas tij siguron një drejtësi të pavarur e larg pazareve.
“Ne e kundërshtojmë kapjen e drejtësisë nga qeveria sot dhe çdo qeveri që do të vijë nesër”, ka thënë më tej Basha.
Sa u takon zgjedhjeve, ka shtuar ai, PD është përgatitur dhe po vazhdon të përgatitet për të konkurruar me dyshen Rama-Meta. “Ata janë oligarkia, ne jemi demokracia”, ka thënë Basha.