Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kreu i kësaj forcë politike, Lulzim Basha deklaroi se mazhoranca ka cuar krimin në majë në një kohë që edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale po kandidon persona me precedentë penalë.
“Edi Rama ka caktuar si kandidat për kryetar bashkie në bashkinë e kryeqendrës së krenarisë sonë kombëtare, në Krujën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Artur Bushin, i arrestuar në Itali në vitin 2010 si pjesëtar i një bande që trafikonte drogë nga Italia në Hollandë.
Ne e denoncuam me fakte, me shqetësim dhe përgjegjësi të madhe këtë kandidim të mirëmenduar nga Edi Rama, që është akti i zhubrosjes prej tij të marrëveshjes për dekriminalizmin, marrëveshje e arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian dhe me mbështetjen e fuqishme të SHBA-së.
Nuk skuqet, as nuk nxihet të promovojë narkotrafikantë edhe pasi është angazhuar me shkrim të bëjë të kundërtën.’
Duke deklaruar se krimi është kupola e vërtetë e Partisë Socialiste, Basha tha se dyshes Rama-Meta nuk duhet t’i shkojë ndërmend që të prekë votën e 21 qershorit.
“Dua t’i paralajmëroj sot në emër të Partisë Demokartike, të opozitës, të qytetarëve të lirë të mbarë vendit:
Ju keni rënë qafë ku nuk mban më shqiptarëve. Jua keni lidhur lakun e varfërisë në fyt. I keni gënjyer sa ju ka dashur qejfi, ua keni mbushur zemrat me dhimbje e dëshpërim me arrogancën dhe papërgjegjshmërinë tuaj ekstreme. I keni poshtëruar me ujditë tuaja të ndyra me krimin, jeni në borxh të madh para shqiptarëve, por mos t’u shkojë mendja t’u prekni zgjedhjet e lira dhe demokratike, mos t’u shkojë mendja t’u prekni votën, t’u prekni gjykimin e lirë, pasurinë më të madhe të popullit sovran në demokraci.
Mos provoni të vidhni e blini votat se ju pret fundi më i keq.”