Basha pranon përgjegjësinë për humbjen, debate në grupin e PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori përgjegjësitë për humbjen në zgjedhjet vendore të 21 qershorit.

Në të parën mbledhje të Grupit Parlamentar pas mbajtjes së zgjedhjeve, Basha pranoi se e djathta nuk mori rezultatin që dëshironte.

Advertisement

Për analizën e humbjes, sërish zërin e ngriti ish-nënkryetarja e PD Jozefina Topalli.

Pas largimit të medias nga mbledhja e grupit, Topalli mësohet të ketë thënë se për PD nuk ishte surprizë që në këto zgjedhje do kishte banda, blerje të votave dhe kriminelë, pasi me to demokratët ishin përballur dhe në zgjedhjet  e 2013.

Duket se ky fjalim i saj ka shkaktuar dhe reagimin e menjëhershëm të Deputetit Mhill Fufi.

Ky i fundit ndonëse indirekt ka lënë të kuptohet që zonja Topalli duhet të japë shpjegime për dërgimin e Lefterije Luzit në krye të KQZ. Sipas Fufit, Luzi është bërë palë me pushtetin duke mos lejuar regjistrimin e vëllait të tij si kandidat të PD në Bashkinë e Kurbinit.

Por veç përgjegjësisë për humbjen në këto zgjedhje, kryetari i opozitës Basha gjatë fjalës së mbajtur përpara deputetëve tha se në rezultat ndikoi blerja e votës, intimidimi i votuesve apo përdorimi i elementëve kriminalë dhe administratës.

Ai foli për një plan të drejtuesve të mazhorancës për të asgjësuar opozitën politike, por tha se opozita ia arrit të mbijetojë.

Kryetari i opozitës tha se manipulimet e bëra nga qeveria në këtë proces i kthyen edhe një herë zgjedhjet në problemin kryesor të Shqipërisë.

Sipas tij, manipulimet nuk do t’ua njohë asnjë institucion ndërkombëtar. Basha i akuzoi drejtuesit e mazhorancës edhe për krisje me partnerë strategjikë, me ngulmimin e tyre për të kandiduar elementë me të shkuar kriminale.