Partia Demokratike ka mbledhur forumin më të lartë të saj, Kuvendin Kombëtar, që synon dhe riorganizimin e kësaj force politike.
Punimet e Kuvendit u çelën me një mesazh përshëndetës që Joseph Daul, kryetar i Grupit të Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian, i drejton Partisë Demokratike. Daul, pasi vlerëson marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, thekson rëndësinë që ka vazhdimësia e reformave në rrugën e integrimit europian. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se PD-ja është ripërtërirë nga humbja e një viti më parë dhe se ajo vjen e fortë dhe e gatshme për nisjen e aksionit të ri politik. Basha tha se ky është Kuvendi më demokratik, është Kuvendi i bashkimit, i ripërtëritjes dhe i nisjes së re. Ai u shpreh i vendosur që së bashku me të gjithë demokratët të shkruajë një histori suksesi në krye të PD-së. “Objektivi ynë është të jemi parti e parë, parti fituese. U ringritëm nga humbja duke menduar, debatuar e diskutuar, duke e vënë gishtin tek mangësitë dhe duke u përballur me qeverinë më antidemokratike”, tha ai. Duke u ndalur tek humbja e thellë në zgjedhjet e 23 qershorit, kreu i PD-së e lidhi këtë disfatë me manipulimin, shitblerjen e votës, por dhe me krizën globale. “Ne kemi analizuar në çdo detaj humbjen e 23 qershorit për të konstatuar se çfarë nuk ka ecur në qeverisjen tonë dhe në këtë kontekst thelbësore mbetet distanca me bazën e partisë. Një pjesë e përfaqësuesve tanë u lodhën nga qeverisja. Qeveria investoi në vepra të mëdha, por disa nga përfaqësuesit tanë harruan, se mes veprave e qytetarëve dhe problemeve të tyre personale, ka një hapësirë të gjerë, ku qeveritarët duhet të shërbejnë me devotshmëri”, theksoi Basha. “Për të gjitha mangësitë, sot, në emër të PD-së, ju kërkoj ndjesë nga kjo tribunë me përulje anëtarëve të PD-së dhe para së gjithash qytetarëve shqiptarë, që kanë pasur arsye të jenë të zhgënjyer në pritshmërinë e tyre. Dua të deklaroj këtu angazhimin dhe përkushtimin tonë për korrigjim të mangësive dhe gabimeve të PD-së”, tha Basha sot në fjalën e mbajtur në punimet e Kuvendit Kombëtar. Kuvendi Kombëtar do të zgjedhë anëtarësinë e Këshillit Kombëtar të PD-së, qe do të përbëhet nga 250 anëtarë, ndërsa një moment i rëndësishëm është dhe miratimi i ndryshimeve në statut, që do të prezantohen nga deputeti Eduard Halimi. Janë 7500 delegatë, që përfaqësojnë rreth 101 mijë anëtarë të PD-së, të ftuar për të marrë pjesë në Kuvend, që shënon dhe numrin më të lartë të pjesëmarrësve në një forum të tillë.