Basha, në Pogradec: Qyteti, jo çiflig i Metës dhe i LSI-së

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluar paraditen e së hënës takimin elektoral të radhës në Pogradec, ku ka përsëritur akuzat ndaj mazhorancës qeverisëse për thellimin e varfërisë dhe pasigurisë.
“Pasiguria e madhe ka pllakosur kudo. Mijëra janë të pasigurt nëse do t’i mbajnë vendet e punës, ndërsa mijëra të tjerë i kanë humbur. Shqiptarët sot paguhen më pak dhe paguajnë më shumë”, ka thënë Basha.
“Ata nuk kanë asnjë zgjidhje për këto probleme. Ata thonë vetëm fjalë boshe, sepse nuk kanë interes tjetër veçse pushtetit absolut. Prandaj gjërat kanë shkuar keq e më keq”, ka vijuar kryetari i PD-së.
Ai ka akuzuar dyshen Rama-Meta se i ka bërë kohët edhe më të vështira për qytetarët, duke rritur taksat, çmimet dhe duke vonuar rrogat.
“Ky është momenti për të dhënë llogari dhe për të bërë bilancin, por këta po i shmangen bilancit. Ata kanë synim vetëm kapjen e Pogradecit dhe kthimin e tij në një çiflig të Ilir Metës dhe LSI-së”, ka shtuar Basha.
Ai ka kërkuar votën e pogradecarëve për kandidatin e PD-së për këtë bashki, Eduard Kaprin, duke shprehur bindjen se opozita do të fitojë në garën zgjedhore.

Advertisement