Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijoi turin e bashkëbisedimit me të rinjtë në qytetin e Lushnjës.
Basha denoncoi rritjen e borxhit publik nga qeveria e cila sipas tij, sot ka hapur një gropë të madhe prej 700 milionë dollarësh të cilat i ka marrë borxh.
“I rritën taksat por jo t’ua kthejnë ju, as me shërbime as me punësime, as me investime, as me larje borxhi”, deklaroi Basha.
Kreu i selisë blu tha se nuk mund të ketë prioritet më të madh për një parti politike dhe për liderët e saj se sa hallet dhe problemet e qytetarëve “Për ne, prioriteti numër 1 është punësimi, lufta kundër varfërisë, lufta për paga të larta, pensione të larta, për punë dhe dinjitet, asnjë prioritet tjetër nuk kemi mbi këto”, deklaroi Basha.
Basha tha se propozimet e PD për uljen e çmimeve të energjisë dhe naftës, për uljen e taksave dhe krijimin e hapësirave për biznesin, për të hapur vende pune u rrëzuan nga mazhoranca përmes arrogancës e kartonëve në Parlament, por më 21 qershor tha Basha kartonat janë në dorë të qytetarëve të cilët do të zgjedhin mes ofertës për punë dhe dinjitet dhe arrogancës së qeverisë që solli varfëri dhe mjerim.
Kandidati për kryetar bashkie në qytetin e Lushnjës, Darien Xhindoli theksoi se në programin e tij ulja e taksave për biznesin dhe mbështetja e të rinjve për të hapur biznese dhe për tu punësuar është prioriteti numër një.
“Do stimulojmë çdo biznes që merr në punë të rinj, do stimulojmë të rinjtë për hapjen e bizneseve të reja me anë të kredive dhe fondeve rezervë të bashkisë.”
Kryetari i PD-së Lulzim Basha u takua dhe me banorë të Çermës në Lushnjë. Mungesa e subvencioneve për bujqësinë dhe rritja e kostos së punimit të tokës përmes rritjes së çmimit të energjisë dhe karburantit kanë qenë shqetësimet e paraqitura nga banorët. “Ulje e çmimit të energjisë dhe taksës së qarkullimit, subvencione për fermerët janë prioritete për PD”, theksoi Basha.