Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbyllur sot përmes një takimi elektoral fushatën në Bashkinë e Kukësit, nga ku ka theksuar se “kjo mazhorancë nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet e bëra për përmirësimin e jetesës”.
Duke ju drejtuar të pranishmëve, Kryetari i PD-së tha se 21 qershori është dita kur shqiptarët dhe kuksianët do t’i thonë jo rritjes së çmimit të naftës, energjisë elektrike, varfërisë e papunësisë. “Të gjithë e kemi parë sesi çmimet janë rritur, taksat janë rritur dhe punësimi ka rënë. U rrit taksa e sipërmarrjes, taksa e pronës dhe ajo e karburantit”, nënvizoi Basha.
Kryetari PD-së gjithashu shtoi se shqiptarët dhe kuksianët janë të lodhur duke parë se si pushteti vjedh xhepat e tyre dhe sesi ky pushtet kërkon të ketë fuqi absolute duke marrë dhe pushtetin vendor. “Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur qytetarët do t’i kundërvihen pushtetit apsolut. Pushtetit të vjedhjes, pushtetit që solli varfëri në shtëpitë e shqiptarëve, pushteti që çoi në emigrim e azil sërish shqiptarët, pas asaj që ndodhi në vitin 1990”, vijoi Basha.
Ai u bëri thirrje qytetarëve kuksian të jenë të bashkuar dhe t’i japin votën kandidatit të djathtë. “Ora e ballafaqimit me të vërtetën po afron. T’i themi jo vjedhjes, jo korrupsionit. T’i themi po Bashkim Shehut dhe PD-së”, ka shtuar Basha.