Basha në Himarë: Rama-Meta kanë nisur kërcënimet ndaj qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha prezantoi kandidatët për kryetarë Bashkie në Selenicë, Përparim Shameti, dhe në Himarë, Lefteri Prifti.
Basha u ndal tek situata e vështirë ekonomike që po kalon vendi ku sipas tij njerëzit janë nxjerrë në rrugë, bizneset janë mbyllur, fuqia blerëse ka rënë, taksat janë rritur, çmimet janë rritur, fitohet më pak, paguhet më shumë, jetohet më keq.
“Tani që e dinë që s’ia dalin dot me premtime, se populli thotë, prapë premtime, prapë mashtrime, i janë kthyer kërcënimeve, po s’votuat për ta nuk ka bukë, nuk ka drita, nuk ka ujë, nuk ka lek. Këto dy vjet që kishin edhe bashkinë, edhe qeverinë, a kishte punë? A kishte investime? A kishte kantiere të reja? A kishte zhvillim? A kishte subvencione? Këta edhe kur i kanë pasur të dyja pushtetet i kanë bërë po aq keq, madje edhe më keq, sepse siç më tha Jorgua i mençur në Himarë, “Rilindja ka një parrullë, imja imja, e jotja e imja”,- theksoi Basha.
Dyshja Rama-Meta, theksoi z. Basha, duan të shmangin llogarinë para qytetarëve për premtimet e pambajtuara për shëndetësinë falas, 300 mijë vende pune, legalizime falas për uljen e çmimit të energjisë, karburantit e subvencionet. Ndërkohë qytetarëve u janë prishur edhe shtëpitë e ndërtuara me djersë, pushtetarët si Koço Kokëdhima vazhdojnë të lartësojnë sarajet e tyre.
“Premtoi vende pune, mbylli vende pune, premtoi barazi para ligjit por i trajton shqiptarët si të njerkës dhe Koçon si të nënës. Mbi 8 mijë objekte janë rrafshuar, i kanë goditur në kundërshtim me ligjin me dhunë policore, sarajet e Koços lartësohen. Dy vjet përpara premtuan 300 mijë vende pune. Tani po mbushet 2 vjeçari, ku i ka 150 mijë vende pune? Papunësia është rritur me 7 përqind.”

Advertisement