Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi sërish sot qeverinë se është e lidhur me krimin.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Basha tha se, krimi ka shumëzuar me zero arritjet e imagjinuara nga qeveria. Sipas tij, kjo situatë ka ardhur pasi në Kuvend apo në institucione janë përfshirë njerëz të lidhur me krimin.
“Gjendja e emergjencës kombëtare ka të bëjë me qeverinë e dështuar, situatën e shthurur dhe jashtë kontrollit të sigurisë, ekonominë. Shpërthimet me tritol në Tiranë akoma janë pa autor, akti i rrëmbimit në Fushë-Krujë akoma pa autor, tonelata droge drejt Europës. Krimi i shumëzon me zero arritjet imagjinare të qeverisë. Ka mbipopullim në burgje po bandat e krimit po bëjnë ligjin. Nuk duan t’ia dinë fare a ka shtet, a ka polici. Çfarë do të mbjellësh do të korrësh, kështu e kanë ndërtuar projektin e tyre për rendin dhe sigurinë këta të rilindjes. Qeveria po bën pazare me kriminelët, i promovon në Kuvend dhe në poste të rëndësishme. Kësaj qeverie krimi i ka marrë anën. Statistikat tregojnë se ka më shumë individë më poste kriminale në administratë se të arrestuar”, deklaroi Basha.
Sipas kreut të PD-së, zgjidhja për këtë situatë është largimi i qeverisë. Basha tha se ky mision i opozitës do të përmbushet me qytetarët.
“Bashkë me shqiptarët që jetojnë në këtë ankth, kërkojmë largimin e shpejt me çdo kusht të zyrtarëve të lartë që janë në ortakëri me krimin. Kjo qeveri nuk e lufton dot krimin, nuk kemi iluzione. Zgjidhja përfundimtare është largimi i saj, një mision i opozitës që do e përmbushim me qytetarët”, tha Basha.