Opozita shqiptare ka publikuar të mërkurën egzistencën e një propozimi të ri për ti dhënë fund masmarrëveshjeve me maxhorancën e djathtë për miratimin e Reformës në Drejtësi. Pas një takimi me partitë aleate kreu i PD Lulzim Basha tha se propozimi i është bërë maxhorancës që në 24 qershor, por ajo nuk e ka pranuar. “Mbledhja e grupit të PD rikonfirmoi qëndrimin tonë dhe vendosi të bëjë publike faktin se opozita prej 17 ditësh, prej 24 qershorit i ka ofruar mazhorancës përmes një formule në përputhje të plotë me rekomandimin 88, kompromisin për të miratuar reformën në drejtësi” tha zoti Basha për mediat. “Deri më sot nuk e kemi bërë publike këtë fakt me shpresën se pala tjetër do të negocionte dhe do të gjente një zgjidhje. Prej 17 ditësh, PS refuzon negociatat dhe argumentetet se pse kjo zgjidhje është e papranueshme” shtoi më tej ai. Ende nuk ka shumë hollësi rreth propozimit, por media të ndryshme shkruajnë se formula e re e PD parashikon ngritjen e një komisioni Ad Hoc me 12 anëtarë, të zgjedhur në mënyrë të parabartë, 6 nga maxhoranca dhe 6 nga opozita. Çdo deputet në mënyrë elektronike zgjedh nga 1 gjyqtar të përzgjedhur më parë nga Komisionet përkatëse. Lista me 12 anëtarë hidhet si listë e tërë në parlament për votim. Kandidatët kalojnë në parlament me 2/3 e votave.
Ndërkohë zoti Basha shkoi më tej kur tha se kryeministri Edi Rama po synon ta përdorë dështimin e Reformës në Drejtësi për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. “Nëse Rama ka bërë plan të shkojë në zgjedhje të parakohshme me këtë kalë beteje, i them që e ka gomar të ngordhur, se nuk ka shqiptar të besojë se Rama nuk ka frikë nga gjyqtarët e pavarur që do të marrin një ditë të gjithë dosjet që nga CEZ, te koncesionet e Beqajt, të grabitjes së bandës së kriminelëve të lidhur me Tahirin, përgjimet apo 80 mijë dollarë financim i paligjshëm vepër penale në SHBA, nesër me kryeministrin të marrë të pandehur si porositës” tha kreu i opozitës.
Por ideja e zgjedhjeve të parakohshme nuk është e re. Pak ditë më parë ish kryeministri socialist Pandeli Majko u shpreh se “Opinioni im personal është që le te shkojmë në zgjedhje dhe në referendum së bashku në një ditë”. “Për 6 muaj qeverisje më shumë, ne socialistët nuk mund t’ua lemë PENG vendin arsyetimeve të një opozite që di vetëm çfarë nuk do” tha ai.