Ballkan – Rehn, në fund të qershorit do shqyrtohet raporti i progresit për liberalizimin e vizave

Vendimi për heqjen e vizave hyn në fuqi në 1 janar 2010, ka konfirmuar Oli Rehn. Megjithë zërat se një ndër shtetet më të rëndësishme europiane, Gjermania, insiston që komisioni ta paraqesë këtë rekomandim pas zgjedhjeve të shtatorit në Gjermani, Oli Rehn duket i vendosur në premtimin e tij, duke sfiduar vëndet anëtare për cështjen e heqjes së vizave Shengen të paktën për vëndet që i përmbushin kriteret e udhërrëfyesit. “Po, unë jam i vendosur për të bërë propozimin nga fundi i muajit qershor, por kjo nuk varet vetëm nga unë por dhe nga aktorë të tjerë, që janë vëndet anëtare të Bashkimit Europian dhe Zhak Barro”, deklaron Rehn. Në 18 maj komisioni do t’u paraqesë vendeve anëtare një raport paraprak për ecurinë e vendeve të rajonit mbi kriteret e udhërrëfyesit, për të cilat do të diskutohet më pas në 25 maj. “Unë jam i angazhuar për qëllimin që rekomandimi të bëhet në fund të muajit qershor, por pak rëndësi ka a ndryshon me një ditë apo një javë, pasi propozimet do të bëhen shpejt dhe do t’i jepen vendeve anëtare, të cilët para fundit të vitit do të kenë plotë kohë për të marrë vendimin nëse vendet përmbushin realisht kriteret”, pohon Rehn. Burime diplomatike nga vendet anëtare janë shprehuar se rekomandimi për liberalizimin e vizave për grupin e parë të shteteve përfituese të rajonit ka gjasa të paraqitet në vjeshtë. Por kjo do të shtynte afatin e premtuar. “Janari 2010 është qartësisht synimi ynë dhe nëse secili kryen detyrat e veta, ky synim duhet të arrihet”, thekson Rehn. Ai nuk ka dhënë emra të saktë të vendeve që do të përfitojnë, por në media përflitet se Maqedonia është vendi i parë në rajon që mund të përfitojë heqjen e vizave. Ndërkohë Franca dhe Spanja kanë kërkuar që të përfshihet në grupin e parë Serbia, duke kërcënuar se do të votonin kundër dhe për Maqedoninë, por Gjermania ka shprehur pakënaqësi nga ana tjetër për pajisjen e qytetarëve kosovarë me pasaporta serbe. Për Bosnjën mediat vendase thonë se nuk i plotëson kriteret dhe ka mundësi të mos përfitojë nga regjimi i heqjes së vizave. Për Shqipërinë ende nuk ka ndonjë konfirmim të saktë dhe gjithcka do të varet nga raporti vlerësues i Komisionit Europian për plotësimin e kushteve. Oli Rehn tha se kjo cështje nuk është vetëm politike por edhe teknike. Është detyrë e institucioneve të Brukselit të krjojnë kushte për sigurinë e plotë të qytetarëve europianë në kohën kur Shengen zgjerohet me vende të tjera. I pyetur nga gazetarët se si i komenton vlerësimet e zyrtarëve amerikanë se BE-ja nuk është angazhuar sa duhet në procesin e zgjerimit drejt Ballkanit Perendimor dhe se Uashingtoni synon të emeroj një të deleguar të ri për këtë rajon, Rehn është përgjegjur se “SHBA duhet të rregullojne cështjet e veta të brendshme, ndërsa me problemet në Europë merret vetë BE”.

Advertisement