Azerbajxhani mbështetje për projektin e gazifikimit të Shqipërisë

Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri priti në takim një delegacion nga Azerbajxhani të kryesuar nga Ministri i Energjisë Natig Aliyev.

Pas takimit dy palësh të delegacioneve, u firmos Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Azerbajxhanit në lidhje me bashkëpunimin për zhvillimin e Master Planit të Gazit të Shqipërisë. Sipas këtij memorandumi, kompania SOCAR, në koordinim me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe Gazsjellësin e Trans-Adriatikut AG, së bashku me aktorët e interesuar nga Azerbajxhani, do të menaxhojë dhe financojë studimin e fizibilitetit (Studimi i Fizibilitetit) të Master Planit të Gazit. Studimi i fizibilitetit, midis objektivave të tjera, duhet të shqyrtojë opsionet e mundshme të Master Planit, të identifikojë parakushtet teknike dhe tregtare për zhvillimin e master planit kombëtar të gazit, duke përfshirë një udhëzues të detajuar për infrastrukturën në pjesën e poshtme, transportin e gazit natyror dhe rrjetet e shpërndarjes, si dhe infrastrukturën shoqëruese, duke përfshirë por pa u kufizuar tek rezervat e gazit, terminalet e gazit të lëngshëm natyror dhe impiantet e prodhimit të energjisë në Shqipëri. SOCAR do të kontribuojë me ekspertizën dhe përvojën e saj më të mirë për realizimin e suksesshëm të Studimit të Fizibilitetit brenda grafikut të rënë dakord me Qeverinë e Republikes se Shqipërisë. SOCAR do të përdorë të gjitha përpjekjet e arsyeshme për të filluar Studimin e Fizibilitetit në kohën që do të bihet dakord ndërmjet Palëve (Data e Fillimit) dhe për përfundimin e tij jo më vonë se njëzet e katër (24) muaj nga data e Fillimit. Ministri i Energjisë Gjiknuri në një konferencë për shtyp deklaroi se TAP-i është një projekt me shumë rëndësi për Shqipërinë dhe “kompanitë duhet të jenë aktive”. Qëllimi i këtij dokumenti, tha ai, është nisja e bashkëpunimit të masterplanit të gazit, ku vendi ynë është një përfitues real i këtij projekti. Gjithashtu, kjo nënkupton diversifikim të burimeve të energjisë dhe siguri më e lartë për këtë sektor, tha ministri Gjiknuri. Ndërkohë, homologua azer, Natig Aliyev, deklaroi se jemi të kënaqur për bashkëpunimin.

Advertisement