Azerbajxhan | Kryeministri Berisha takohet me Presidentin Aliyev

Kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në Azerbajxhan për të marrë pjesë në punimet e Forumit Ekonomik Botëror, është pritur sot në ambientet e pallatit presidencial nga presidenti Ilham Aliyev. Sipas zyrës për shtyp të kryeministrisë, në fokus të këtij takimi ka qenë projekti i gazsjellësit TAP. Gjatë bashkëbisedimit, Kryeministri Berisha e njohu presidentin Aliyev me marrëveshjet trilaterale të firmosura nga Shqipëria, Italia dhe Greqia, ratifikimin e tyre nga Shqipëria dhe vendosmërinë e Shqipërisë për të përmbushur me përkushtim detyrimet që rrjedhin nga këto marrëveshje dhe të gjitha detyrimet kontraktuale të këtij projekti. Ndërsa Presidenti Aliyev theksoi se gjatë muajve që vijnë, konsorciumi Shah Deniz do të vendosë për projektin që do të përzgjedhë për transportin e gazit azer në Evropë dhe sigurisht, kriteret ekonomike dhe të tregut do të kenë një rëndësi parësore në vendimin e tyre. Gjatë këtij takimi, Kryeministri kërkoi ndihmën e qeverisë së Azerbajxhanit për hartimin e një masterplani për gazifikimin e Shqipërisë, ndërkohë që Presidenti Aliyev premtoi mbështetjen e plotë të vendit të tij në këtë drejtim. Në takim, bëhet e ditur se u diskutua për bashkëpunimin në fushën e turizmit, energjisë së rinovueshme dhe në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Në fund, Kryeministri Berisha ka ftuar presidentin Aliyev për të vizituar Shqipërinë në kohën më të shpejtë e më përshtatshme për të, ftesë kjo që u prit me kënaqësi nga Presidenti.

Advertisement