Autoritetet greke kanë shpallur sot gjendjen e jashtëzakonshme në ishullin Lesbos, i cili u godit nga një tërmet i fuqishëm, ku si pasojë një grua gjeti vdekjen, ndërsa mbi 800 persona u detyruan të shpërngulen nga shtëpitë e tyre. Një tërmet prej 6,2 ballësh sipas shkallës Rihter, goditi dje rajonin e detit Egje, më konkretisht pjesën perëndimore të Turqisë dhe ishullin grek Lesbos. Zyrtarët grekë thanë se tërmeti dëmtoi rëndë ose shkatërroi shtëpi në 12 fshatra në jug të Lesbosit. Banorët e moshuar janë vendosur tek të afërmit e tyre, disa në hotele, ndërsa disa të tjerë në ndërtesa ushtarake.

Tërmeti i djeshëm është kriza e dytë me të cilën ishulli grek është ballafaquar në dy vitet e fundit, pasi paraprakisht qindra mijëra emigrantë dhe refugjatë arritën në ishull përmes anijeve nga brigjet e Turqisë në rrugën për në Evropë.

Advertisement