Asambleja Parlamentare e NATO-s, Rama: Përfshirje të plotë Ballkanit

Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë fjalimit të tij se NATO duhet t’i hapë rrugën e anëtarësimit Kosovës. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi gjithashtu edhe rrezikun rus në lindje të Europës, duke kërkuar një koordinim të vendeve të aleancës për të garantuar sigurinë.
“Integrimi i Kosovës është një domosdoshmëri jo thjesht për Kosovën, jo vetëm për Ballkanin, por për të gjithë familjen euroatlantike. Përgjegjësitë e integrimit nuk mund të kërkohen vetëm jashtë saj, udhëheqja politike duhet të mbajë barrë kryesore në këtë proces. Institucionalizimi i marrëdhënieve NATO-Kosovë duhet parë si katalizator për të gjithë procesin integrues të rajonit”, u shpreh Rama.
Ai tha gjithashtu se Shqipëria mbështet edhe integrimin e Maqedonisë në NATO, por me kushtin e vetëm që ky shtet të shkëputet nga praktika e ish-Jugosllavisë: “Kemi punuar e do të punojmë që edhe Maqedonia të ankorohet në kursin euroatlantik. Eliminimi i trashëgimisë Jugosllave në praktikën shtetërore mbetet parakusht për të ardhmen e atij vendi, për të cilin Shqipëria është e interesuar që të jetë sa më demokratik e sa më i begatë. Besojmë në potencialin e Maqedonisë. Maqedonia ka shansin që të projektojë shansin e saj jo mbi formula arkaike të aritmetikave etnike e fetare, por mbi bazën e vlerave të mëdha të lirisë e progresit, si kusht për bashkëjetesën e qytetarëve të lirë. Ngrirja e proceseve të pajtimit të brendshëm vetëm e shton nevojën për mbështetjen e fuqishme nga ana e NATO-s dhe Bashkimit Europian për Maqedoninë”.
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta u shpreh se Kosova dhe Bosnja duhet të anëtarësohen në NATO për një siguri më të madhe në rajon. “NATO duhet të zgjerohet duke mos lënë askënd jashtë”, theksoi kreu i Kuvendit.
“Kosova dhe Bosnja duhet të anëtarësohen në NATO. Është thelbësore që ne të veprojmë të gjithë si një trup i vetëm që t’i tregojmë të gjithëve se kjo aleancë është e fortë. Progresi është i mundshëm”, deklaroi Meta.

Advertisement