Maestro Agrim Krajka u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare. Lajmin e ndarjes nga jeta të kompozitorit të shquar e bëri publik i biri, Ulis Krajka, përmes një postimi në rrjete sociale.
“Shpirti yt i bukur u prehtë në paqe babai im i dashur,” shkroi ai.
Agim Krajka ishte artisti që la gjurmë të pazëvendësueshme në historinë e muzikës së lehtë shqiptare dhe hodhi bazat për muzikën moderne. Kontributi i tij i vyer u vlerësua me mbi 15 çmime, urdhra dhe medalje si edhe titullin “Mjeshtër i Madh”.
I lindur në Kavajë, më 3 maj 1937, në një familje me origjinë dibrane, Krajka u rrit mes instrumenteve muzikore të të atit, si violinë, mandolinë e fizarmonikë. Në vitin 1963 filloi studimet për Teori e Kompozicion, nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja.
Krajka është kompozitori i shumë këngëve që këndohen ende edhe sot nga publiku apo në skena muzikore, ndër të cilat mund të përmendin këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në vitin 1961. Të tjera këngë të njohura përmendim “Nuk e harroj”, “Djaloshi dhe shiu”, “ Nuk jam vetëm”, “Më dhe dritë nga sytë e tu”, “Kafe Flora burra plot” etj.
Muzika e tij nuk mund të mungonte në disa prej filmave ikonë të kinematografisë shqiptare, si “Çifti i lumtur”, Zonja nga qyteti”, Zonja nga fshati”, Njësiti Gueril”, “Zëvendësi i grave” etj.
Kohë më parë, Krajka, i konsideruar gjerësisht si “kompozitori i rinisë”, u shpreh se kompozoi më shumë se pesëdhjetë këngë për dashurinë, të cilat për dekada me radhë, i dhanë formë muzikës së lehtë dhe mbeten një kontribut i vyer në historinë e saj.