Një luftë e gjatë e plot intriga! Sarkozy në librin “Pasione” foli për gjyqtarët që sot e dënuan me burg

Ndërkohë që isha thellësisht i mallëngjyer, deklarova se magjistrati që e kishte liruar vrasësin Gato “duhej të paguante për fajin e tij”. Duke shtuar: “Unë e di që drejtësia është punë njerëzish, por kjo nuk do të thotë që, meqenëse kush punon mund të gabojë, nuk u dashka të paguajë kur ka bërë faj”. Çfarë nuk paskësha thënë! Të përmendje përgjegjësinë e një magjistrati ishte, as më shumë e as më pak, njëlloj sikur të bëje të dridheshin shtyllat e Republikës. Skandali nuk ishte as që vrasësi kishte mundur të bëhej recidivist, as që një vajzë e vogël kishte mbetur jetime, as që një bashkëshort i lumtur kishte mbetur i ve. Skandalin e mishëronte ministri i Brendshëm! Ashtu siç e kishte shkruar në një këngë të tij Gi Beari (Guy Béart): “I pari që thotë të vërtetën, duhet të ekzekutohet!” Mekanizmi u vu në lëvizje. Mediet u përfshinë në valle. Në ballon e hipokritëve, Zhak Shiraku dhe Dominik dë Vilpeni e tejkaluan gjithçka që mund të shpresohej. “Është mungesë vetëkontrolli nga ana e ministrit të Brendshëm”, thirrën me të madhe njëzëri dy drejtuesit më të lartë të shtetit. Presidenti e priti atëherë me pohe e me bujë prokurorin e përgjithshëm pranë Gjykatës së Kasacionit, i cili kishte ardhur të mbronte nderin e gjithë magjistratëve të Francës. I mbështjellë me mantelin e pavarësisë së tij, si dhe të dinjitetit të tij të fyer, ky i fundit foli shumë e më dha gjithë ato leksione sjelljeje republikane nëpërmjet çdo mikrofoni që i dilte përpara. Është po ai njeri aq i pavarur, i cili nuk ngurroi më 2011 të merrte pjesë në mitingjet e Martinë Obrisë (Martine Aubry) gjatë zgjedhjeve paraprake socialiste, duke aspiruar, pa dyshim, të emërohej nga kjo e fundit ministër i Drejtësisë. Kjo hipokrizi prej Tartufi tregon në të vërtetë se sa pak vëmendje u kushtohet viktimave nga disa trupa të ndërmjetme, a thua se vuajtja e tyre na e bezdiska Republikën dhe ia prishka asaj qetësinë e gjumit nëse do t’u kushtohej atyre tepër rëndësi! Unë mendoj krejt të kundërtën. Viktimat do të duhej të ishin në zemër të të gjitha politikave republikane, në mënyrë që të ndreqen ose të paktën të merren parasysh dëmet e rënda fizike, morale dhe materiale që kanë ardhur si pasojë e krimeve dhe veprave penale.

***

Advertisement

Kam lexuar së fundmi deklaratën e një prokurori të Republikës që shpjegonte pa pikë turpi se çdo letër denoncimi anonim do të shqyrtohej me seriozitetin më të madh! Ndërkohë që e vetmja gjë serioze dhe republikane do të ishte që këto dërgesa të neveritshme të çoheshin në koshin e plehrave. E çfarë të thuash pastaj për gjithë ato sajte që bëjnë apologjinë e stigmatizimit, si “Jepi duart derrit tënd!” Po në qoftë se ka derr, duhet bërë ankesë nëpër gjykata dhe jo t’i bëhet thirrje hakmarrjes popullore apo vendimit të opinionit publik! Me shpifje. Shpif, shpif, se përherë do të mbetet diçka. Na erdhën zorrët te goja. Është edhe xhelozia, a thua se ajo që paska rëndësi nuk qenka që të fitosh më shumë, por që fqinji të mos fitojë më tepër se ti. Na duhet, pra, të bëjmë si të bëjmë me këto dy Franca, njëherësh madhështore dhe për të vënë kujën. Pikërisht për këtë arsye, Franca ka nevojë më shumë se çdo vend tjetër për institucione të fuqishme dhe për një president, aftësia udhëheqëse e të cilit duhet të jetë e kalitur prej materialeve më të forta e më të qëndrueshme. Kur pushteti është i dobët, atëherë të gjitha të metat e Francës bëhen më të rënda. Po qe se në majë lejohet gjithçka, po qe se autoriteti lëkundet, po qe se vullneti nis të shuhet, atëherë gjithsecili, nëpër qoshet e çifligjet e shumta të administratave tona dhe të morisë së shefave të vegjël që kullosin aty, mund të fillojë politikën e vet me motivimet e tij personale e nganjëherë edhe me merakun e revanshit apo të urrejtjes. Kur Franca bëhet zap, mblidhet, zotërohet, ajo mund të ndriçojë botën me kulturën e saj, me vlerat e saj, me idetë e saj. Në rast të kundërt, shpartallimi nuk është kurrë shumë larg.

*Pjesë të shkëputura nga “Pasione” libri me kujtime i i Nicolas Sarkozy, botuar në shqip në vitin 2020 nga Shtëpia Botuese Dudaj.