Regjisori francez, Laurent Cantet ka prezantuar në festivalin spanjoll të filmit, në San Sebastian, filmin e tij të ri, “Arthur Rambo”, një jehonë e shkatërrimit të reputacionit në mediet sociale.
“Filmi artistik ndjek një autor të ri, që i përket një brezi, në të cilin edhe pse kanë lindur në kohën e rrjeteve sociale, ndonjëherë, nuk e kuptojnë funksionimin e tyre”, shpjegoi regjisori, fitues i Palmës së Artë 2008 me filmin “Entre les murs” (Midis mureve) dhe i dy çmimeve Césars për filmin “Ressources humanes” (Burimet Njerëzore) (1999).
Historia e “Arthur Rambo” bazohet në historinë e vërtetë të Mehdi Meklat, një autori 25-vjeçar francez, i cili kishte fituar famë duke kronikuar në veçanti lagjet e pafavorizuara, para se të ndalonte gjithçka përballë zbulimit të mijëra “tweets” të tij antisemite, homofobike, raciste dhe seksiste.
Filmi tregon historinë e Karim D, një shkrimtari të ri me origjinë algjeriane, i cili jeton në periferi të Parisit dhe sapo ka botuar romanin e tij të parë mbi emigracionin, që shpejt e shtyn atë drejt famës.
Libri i tij është në prag të përshtatjes për kinemanë, kur një seri “tweets” të tij antisemite dhe homofobike, të botuara nën pseudonimin “Arthur Rambo” përmbysin gjithçka, duke e detyruar atë të përballet me ata përreth tij dhe të gjejë një rrugëdalje.
“Ai është një personazh mjaft përfaqësues i kohës sonë, gjithashtu përfaqësues i një ndarjeje shoqërore që është shumë e theksuar në Francë dhe, veçanërisht, në Paris, midis botës pariziane dhe periferisë”, tha regjisori 60-vjeçar.