Arrestohet pas 21 orësh Lekë Vuksani, vrasësi i dyshuar i Petrit Vuksanit!

Merr fund pas 21 orësh kërkimesh e ndjekje, arratia e Lekë Vuksanit në Shkodër.

Në një informacion për mediat, policia thotë se 34-vjeçari, i cili akuzohet se një ditë më parë ekzekutoi me armë zjarri Petrit Vuksanin, u vu në pranga falë bashkëpunimit të policisë së Shkodrës me forcat RENEA. Autoritetet po ashtu kanë mundur të sekuestrojnë edhe armën e krimit.

Advertisement

“Pas 21 orësh kërkime dhe ndjekje, Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, kap dhe vë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së 51-vjeçarit Petrit Vuksani. Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga shtetasi Lekë Vuksani, 34 vjeç, banues në Shkodër. Policia gjen dhe sekuestron armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se autori kreu krimin. Ky shtetas dyshohet se rreth orës 12:15, të datës 02.05.2023, në lagjen “Tom Kola”, vrau me armë zjarri automatik, në banesë, shtetasin Petrit Vuksani 51 vjeç. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e policisë.

Mesditën e së martës, Lekë Vuksani qëlloi për vdekje në shtëpinë e tij 51-vjeçarin Petrit Vuksani. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Tom Kola” të Shkodrës. Shkak, sipas asaj që raportoi edhe më herët gazetarja Emi Kalaja, u bë pikërisht fakti se viktima i kërkoi Lekë Vuksanit që të lironte shtëpinë që i kishte lënë me qira gjatë kohës që nuk ndodhej në Shqipëri.

“Mësohet që marrëdhënia mes tyre ishte vetëm pronar-qiramarrës, pavarësisht mbiemrit që është një koincidencë, është konfirmuar kjo edhe nga burime nga familjarë të të dyja palëve. Kjo banesë duket që ka qenë molla e sherrit, fakti që ai (viktima Petrit Vuksani) është kthyer nga Anglia para 1 muaji dhe ka kërkuar që të lirohet banesa. Lekë Vuksani nuk ka rënë dakord duke thënë se kishte një kontratë dhe nuk mund ta nxirrte nga shtëpia. Konfliktet kishin rreth 1 muaj që vijonin. Ngjarja duket të ketë qenë e paramenduar, pasi Lekë Vuksani ka shkuar dhe ka hapur zjarr ndaj 51-vjeçarit në banesë”, tha gazetarja në një raportim për Klan News mëngjesin e kësaj të mërkure.

Gazetarja Kalaja shton se autori i dyshuar nuk njihej si person problematik dhe rezulton pa precedentë penalë. Sa i përket viktimës, mësohet se fqinjët e njihnin atë shumë pak, pasi pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar jashtë vendit, në Angli, por edhe në vende të tjera të Europës.