Berisha prezanton Bardh Spahinë: Benet, kandidimi yt për Ramën është gabimi fatal i jetës tënde…

Në të vetmen bashki që demokratët qeverisin, Sali Berisha u rikthye për t’u kërkuar shkodranëve në 14 Maj, ashtu si një vit më parë votën për Bardh Spahinë.

“Bardh Spahia misionin e tij të nisur 1 vit më parë do ta çojë përpara. Do shndërrojë Shkodrën në qytetin lider të zhvillimit të harmonishëm të prosperitetit, reputacionit më të madh në rajon, Europë e kudo”.

Advertisement

Benet Becin që garon për socialistët e sfidoi duke e ftuar në debat përballë kandidatit të tij.

“Benet hajde këtu bashkë me Bardh Spahinë dilni para qytetarëve dhe jepni llogari për çdo gjë, përgjigjuni të gjitha pyetjeve të shkodranëve. Shlyen deri diku një detyrim sepse 2 vjet në atë Parlament një herë fjalën Shkodër e shkodran. Benet as gjysma e Becëve nuk do të të votojnë ty. Kandidimi yt për Edi Ramën është gabimi fatal i jetës tënde, shpirti yt e di se çfarë të detyroi ty”.

Ftesën nuk ia kurseu as Kryeministrit.

“Ai s’del dot me Sali Berishën në ballë. Po e ftoj në çdo takim por ikën, ai vetëm vjedh. Deri ditën e fundit do ta ftoj, pas datës 14 do ikë”.

Kryeministrit që i kujton origjinën prej shkodrani, ia ktheu me disa vargje të Brehtit.

“Këtë këmishë ngjyrë kaki dhe këmishën t’i kam falur, sikur të dija biro ç’di, më mirë veten kisha varur. Lere gjyshen të prehet në paqen e Zotit se ti ke marrë rrugën e djallit”.

Ndërsa gjatë paradites Berisha dënoi deklaratën e bërë nga Kryeministri në samitin e Delphit në Athinë, ku u shpreh se shqiptarët dhe serbët janë kushërinj.

“Se ku e gjen lidhjen e gjakut Rama e gjen në tradhtinë e tij dhe vasalitetin e Beogradit dhe ky është një akt i dënueshëm”.

Siipas Berishës, me këtë deklaratë Edi Rama mohoi genocidin serb dhe provoi njëherazi lidhjet që ka me krimin.