Ardon Jashari është prezantuar zyrtarisht si futbollisti i ri i Milanit, pas një negociate të gjatë mes klubit italian dhe mesfushorit shqiptar nga Club Brugge. Në konferencën për shtyp, Jashari ka ndarë emocionet e tij për të veshur fanellën kuqezi, planet për sezonin e ri dhe aspiratat personale, duke treguar qartë pasionin dhe ambicien që ka për të dhënë një kontribut të madh te Milani.
Ardon Jashari ka nisur prezantimin e tij te Milan me fjalët: “Është një ëndërr. Ndjenja ime për këtë klub është e jashtëzakonshme. Nuk është ëndërr vetëm për mua, por edhe për familjen time. Kam marrë një mikpritje të shkëlqyer dhe po ambientohem shumë mirë. Është një nder të jem këtu.”
Mesfushori pranoi se rruga për te Milani nuk ka qenë e shkurtër: “Të gjithë e dinë që ishte një negociatë e gjatë, por që në kontaktet e para me Milanin ishte e qartë që unë doja të vija këtu. Club Brugge nuk më lejonte lehtësisht të largohesha, por pas durimit dhe angazhimit të Tares, tani gjithçka është e mbarë. Edhe pse ishin klube të tjera, unë doja vetëm Milanin.”
Jashari foli edhe për trajnerin Allegri: “Jam këtu vetëm një javë, por mund të them vetëm gjëra pozitive për të dhe stafin e tij. Ka një harmoni të madhe në dhomën e zhveshjes dhe të gjithë dalim në fushë për të fituar.”
Ai pranoi se presioni është pjesë e lojës: “E ndiej pak presionin, por kush vesh këtë fanellë e di çfarë presioni ka. Do të punoj fort për t’i bërë tifozët krenarë dhe për të shpërblyer besimin e klubit.”
Për idhujt e tij te Milani, Jashari tha: “Kur tifozova Milanin, idhulli im ishte Pirlo. Ai luante si numër 10 dhe unë po ashtu fillova si ‘trequartista’. Tani luaj më prapa, por ai ka qenë një frymëzim i madh për mua.”
Ai komentoi debutimin kundër Leeds: “Pas dy muajsh pa luajtur, ishte e vështirë të gjeja ritmin, por doja të bëja një përshtypje të mirë. Kam shumë për të përmirësuar dhe do të vazhdoj të rritem.”
Jashari ka gjithashtu respekt për Modric-in dhe bashkëlojtarët e tjerë: “Është kënaqësi të luaj me lojtarë fantastikë si Modric. Do të përpiqem të mësoj dhe të rritem me të çdo ditë.”
Kur u pyet për pozicionin, ai u përgjigj: “Do të vendosë Allegri. Mund të luaj si numër 10 ose 6, do shohim si do më përdorë.”
Ai shtoi: “Do ndihmoj ekipin në të dyja fazat, do jap asiste dhe do të mbroj me zjarrin që kam brenda. Më e rëndësishmja është të mos lejojmë gola dhe të fitojmë sa më shumë ndeshje. Qëllimi është të fitojmë trofe dhe të japim gjithmonë më të mirën.”
Në fund, Jashari u shpreh: “Ambicia këtu është shumë e lartë. Synimi im dhe i ekipit është të fitojmë sa më shumë ndeshje dhe më pas trofe. Kjo është një mundësi e madhe dhe jam i vendosur ta shfrytëzoj maksimalisht.”


