Në procesin gjyqësor ndaj nëntë të pandehurve të akuzuar si rekrutues të shtetasve shqiptarë për të luftuar në Siri, nuk flitet vetëm shqip, por edhe arabisht.
Mes sureve të Kuranit, ligjërimeve, por edhe kërcënimeve, të pandehurit akuzuan Komunitetin Mysliman se ka marrë peng islamin në Shqipëri. Dy të pandehurit që u shfaqën më protagonistë në seancën e radhës, ishin sërish Fadil Muslymani dhe hoxha i vetshpallur i xhamisë në Unazën së Re, Genci Balla.
“Shqipërinë do ta çlirojë ISIS sepse të rinjtë e të rejat po ikin ngaqë nuk kanë besim tek shteti”, tha Muslymani.
I pandehuri Genci Balla kërkoi pavlefshmërinë e një shkrese të Komuniteti Mysliman Shqiptar, që i shpjegonte prokurorisë tendencën ekstremiste të disa xhamive, sepse sipas tij aty janë shprehur termat ekstremiste dhe radikale. Kjo kërkesë nuk u pranua nga gjykata dhe Balla akuzoi se KMSH është nën diktatin e shtetit dhe se përfaqësuesit e këtij komuniteti janë tradhtarë të fesë.
Edhe i pandehuri Gerti Pashja e konsideroi prokuroren e çëshjes si armike dhe një njeri që i ka hapur luftë islamit. Pashja kërkoi që t’i vendosej në dispozicion përgjimi i prokurorisë mes Erzen Gashit dhe Artur Korres, që të dy ata të dyshuar se ndodhen në Siri.
Por sapo prokuroria i dorëzoi dokumentat e kërkuar, Pashja i grisi materialet në mënyrë demostrative duke deklaruar: “Ju jeni kriminelë! Vazhdoni bëni gjyqe!”
Të pandehurit kërkojnë të dëgjojnë 10 CD përgjime të prokurorisë, ku janë të administruara edhe ligjërimet në xhami të Genci Ballës dhe Bujar Hysës, të cilët nxisin besimtarët që të luftojnë përkrah ISIS-it në Siri. Por, për shkak të largimit të të pandehurit Gerti Pashja, procesi u shty derisa të njoftohet një avokat nga lista kryesisht.
Pavarësisht se të pandehurit nuk kanë pranuar avokatë, pasi gjyqin sipas tyre ua bën Allahu, ajo që vërehet që nga nisja e gjyqit në muajin mars, është se edhe ata po tentojnë të gjejnë metoda të përdorura në procese të tjera, siç janë largimi nga salla e gjykatës si një mënyrë për të zvarritur procesin.