Albi Nako mund të lërë Shqipërinë për të ndjekur Klaudian

Janë njohur para shumë vitesh Klaudia Pepa e Albi Nako, balerini dhe koreografi që konkurrentja e Amici e ka zgjedhur për bashkëshort.

Dhe pse shumë e re, Klaudia ka thënë po-në më të rëndësishme të jetës për njeriun që sot po e shoqëron në këtë garë televizive.

Advertisement

E njohur tashmë në Shqipëri, Klaudia është martuar me shoqëruesin e një jete, burrin që sot tregon që kanë qenë të dashuruar që kur Klaudia ishte 15 vjeçe.

Në të vërtetë e ka takuar Klaudian për herë të parë, siç ka rrëfyer për të përjavshmen Di Più, kur ajo ishte vetëm 5 vjeç. Aso kohe, Pepa nisi të shkonte në shkollën e kërcimit që drejtonte babai i Albit.

Ai thotë: “Në atë kohë frekuentonte shkollën e kërcimit të babait tim dhe e dija që ishte një nga shumë nxënëset e tij. Unë e kam njohur mirë kur ishte 15 vjeç dhe studionte prej disa vitesh në Akademinë e Arteve në Tiranë. Kishte hyrë 9 vjeçe, pasi kishte kaluar përzgjedhjen me provën e dytë: te e para ishte skualifikuar. Pastaj mori pjesë te Gjeniu i Vogël. Doli e para dhe vitin tjetër ia doli të kalonte provimin e Akademisë.”

Në atë kohë Nako ishte 27 vjeç, me një famë dhe moshë të parezistueshme për Klaudian e re.

Albi tregon historinë e tyre të njohjes që tashmë njihet për publikun shqiptar: “Kur ishte 15 vjeç trokiti në derën time: erdhi në televizionin ku punoj dhe më kërkoi nëse mund të merrte pjesë në provat e koreografisë. Dhe këtu nisi historia e Klaudias me mua, jo ajo e dashurisë, por e bashkëpunimit mes dy balerinëve. Ngadalë u dashuruam: unë jam gjithçka për të dhe ajo është gjithçka për mua.”

Ata të dy janë martuar në korrik të vitit 2013 dhe, që nga ajo kohë, janë gjithmonë bashkë.

Nako madje ka thënë që është gati të lërë karrierën e tij në Shqipëri dhe të transferohet në Itali, ku ta çojë jeta e ardhshme e bashkëshortes: “Tani ndoshta është pak shpejt për të bërë plane, por e ndiej që jeta e Klaudias do jetë këtu në Itali. Pra, edhe imja: unë i kam mësuar gjithçka Klaudias, për jetën dhe kërcimin”.

Ndërkohë, Klaudia vazhdon të jetë pretendentja kryesore për fitoren e garës së kërcimit të Amici 2015.