Kryeministri Edi Rama ka shpallur këtë të hënë, në një takim të posaçëm nisjen e fazës së dytë të aksionit kundër informalitetit.
Në fjalën e tij, Rama ka shprehur bindjen për suksesin e këtij operacioni, duke parë fazën e parë të tij, që solli sipas tij “rezultate të prekshme”.
Shefi i qeverisë ka nënvizuar se në 20 vjet ekonomia informale kishte shtrirë rrënjët e saj, duke arritur të bashkëjetonte me shtetin dhe duke bërë të pamundur mbrojtjen e konsumatorëve.
“Ndërsa sot jemi në kushte të reja. Hapëm dy kanale të rëndësishme komunikimi për të denoncuar informalitetin”, ka thënë Rama, duke shtuar se “formalizimi është një e mirë e përbashkët”.
Më tej, duke cituar disa të dhëna statistikore Rama ka saktësuar: “Të ardhurat për 3-mujorin e parë të vitit janë përtej parashikimeve, në 3 muaj kemi arkëtuar rreth 100 milionë dollarë më shumë, kemi regjistruar një rritje të ndjeshme në produktet e akcizës, falë rezultateve zeruam taksat për rreth 83 mijë biznese të vogla. Jemi duke mbyllur përfundimisht shtigjet e kontrabandës”, ka shtuar Rama.
Ndërsa ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka deklaruar se, sot Shqipëria ka një model të ri ekonomik të konfirmuar nga 3 institucione ndërkombëtare dhe Banka e Shqipërisë.
“Sot ekonomia shqiptare e ka lënë krizën mbrapa dhe në themel ka luftën kundër informalitetit”, ka thënë Ahmetaj.