Prokuroria, hetim Strazimirit për “armëmbajtje pa leje”

Prokuroria e Përgjithshme, në bazë të materialeve të ofruara nga Policia e Shtetit, po kryen hetime në ngarkim të Gent Strazimirit, nën dyshimin se deputeti demokrat mund të ketë kryer vepër penale gjatë protestës së javës së kaluar tek Parku i Liqenit.

Sipas një njoftimi për shtyp të organit qendror të akuzës, deputeti Strazimiri dyshohet për “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.

Advertisement

Në të njëjtën dosje hetimore është përfshirë edhe deklarata e shtetasit me inicialet P.N, i cili pak ditë pas protestës deklaroi se Strazimiri kishte dorëzuar në polici një pistoletë tjetër nga ajo që mbante gjatë manifestimit.

Në njoftimin zyrtar thuhet se, shtetasi në fjalë është paraqitur si përfaqësues i një firme prodhimi armësh në Gjermani dhe ka deklaruar se, kompania që përfaqësonte i kishte dhuruar disa vite më parë një sasi armësh Ministrisë së Brendëshme, një prej të cilave zotërohet ende sipas tij nga Strazimiri, ish-zv.ministër i Brendshëm.

Prokuroria njofton më tej se, ndërkohë po vijon hetimet edhe për persona të tjerë që morën pjesë në protestën e 28 marsit, si dhe për ligjshmërinë e projektit të ndërtimit të këndit të lojrave tek kodrat e liqenit artificial.