Rruga Egnatia, një nga udhët më të vjetra në Ballkan do të shndërrohet në një produkt të mirëfilltë turistik.
Këtë e tha të martën, Ministri i Zhvillimit, Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, i cili i hapi dritën jeshile të udhëtimit të parë 25 studentëve e profesorëve të Universitetit të Venecias për të bërë udhëtimin e parë përmes rrugës antike Venecia.
Ministri Ahmetaj, i pranishëm në një aktivitet të organizuar me këtë rast në sheshin pranë Teatrit Kombëtar i hapi rrugën një projekti të rëndësishëm bashkëpunimi me Universitetin e Venecias me qëllim shndërrimin e rrugës antike në një vlerë turistike për vendin tonë. “Sot është një ditë mjaf e rëndësishme. Rruga Egnatia, një nga më antiket në Ballkan do të vizitohet nga profesor, studentë dhe eksplorues të Universitetit të Venecias. Kjo do të jetë një pikënisje për kthimin e kësaj rruge në një atraksion turistik për vendin tonë”, tha Ahmetaj.
Ai theksoi se gjatë këtij viti Shqipëria ka njohur një rritje të jashtëzakonshme të turizmit dhe kjo për shkak se qeveria shqiptare nuk e ka polemizuar këtë sektorë kaq të rëndësishmë, por ka punuar fort për ta promovuar dhe për të tejkaluar problematikat e mbartura.
Ashtu siç ishte bërë e ditur nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare, 25 vizitorët mbërritën dje në vendin tonë.
Studentët dhe profesorët e Universitetit të Venecias do të nisin udhëtimin në Vian Egnatia së bashku me një ekip specialistësh shqiptarë. Ky udhëtim nis sot dhe zgjat deri në 31 gusht, në bashkëpunim me Universitetin e Venecias, dhe është i pari udhëtim në rrugën antike, Via Egnatia. Udhëtimi i paraprin një projekti ambicioz për shndërrimin e kësaj rruge të vjetër, në një produkt të mirëfilltë turistik. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare thotë se “çdo ditë, për katër javë do të sjellim imazhe dhe shënime nga ky udhëtim, duke shpresuar se shumë shpejt Via Egnatia, e cila dikur lidhte Romën me Kostandinopojën, Orientin me Oksidentin, do të jetë një mundësi e madhe në zhvillimin e turizmit rural nëpërmjet udhëtimeve kulturore, shpirtërore, religjioze, artit, filozofisë, teatrit e kulinarisë”. Kjo do të ishte një tjetër mundësi që i shtohet mundësive të shumta të vendit tonë për të tërhequr sa më shumë vizitorë të huaj si dhe për ta parë këtë rast si një burim për ekonominë e vendit.
Ministri Ahmetaj më tej u ndal në një prononcim për mediat, ku i’u përgjigj interesit të opinionit publik për disa nga çështjet më delikate të aktualitetit.
Lidhur me mungesën e energjisë elektrike në jug të vendit, Ministri Ahmetaj nënvizoi se është një problem i mbartur prej vitesh, por që del sot në pah falë kërkesë së lartë të vizitorëve.
“Shqipëria ka një rekord vizitorësh në 6-mujorin e parë. Shqipëria ka pësuar një rritje historike të kërkesës për turizëm dhe kjo ka bërë që operatorët turistik të gjënden nën presion, stresë, i cili ka çuar dhe në nxjerrjen në pah të disa problemeve, të cilat ne i njohim dhe po përpiqemi ti zgjidhim”, tha Ministri i Zhvillimit, Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Ai foli edhe për ligjin e turizmit të kthyer në kuvend nga Presidenti Bujar Nishani. “Ligji do të miratohet në shtator. Ai e ka bërë zakon tashmë të kthejë ligjet dhe kjo nuk është aspak e drejtë, pasi ligji në të gjitha nenet e tij është në përputhje me Kushtetutën”, tha Ahmetaj.