Masat e policisë për ndeshjen mes Skënderbeut dhe Dinamos së Zagrebit

Drejtoria e Policisë së Elbasanit ka marrë një sërë masash për të siguruar rendin dhe qetësinë, për zhvillimin normal të ndeshjes së futbollit mes “Skënderbeut”, Shqipëri dhe “Dinamos së Zagrebit” Kroaci, e cila do të zhvillohet në datë 19 Gusht, në orën 20:45, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Sa më sipër, Policia e Elbasanit njofton dhe i lutet qytetarëve për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e tyre, lidhur me bllokimin e disa segmenteve rrugore si dhe ndalimin e qarkullimit të mjeteve. Kështu, do të bllokohet shëtitorja nga Stadiumi deri tek “1 Maji”. Do të bllokohet rruga nga Bashkia deri në dalje të Unazës. Nuk do të lejohen parkimet në sheshin përpara Pallatit të Sportit, si dhe nga rreth-rrotullimi i Luleve deri tek rrethrrotullimi i Zaranikës. Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve para stadiumit.

Advertisement

Hyrja e tifozëve, sqarohet në njoftim, do të bëhet 2 orë para nisjes së ndeshjes, për të shmangur rradhët.
Lidhur me sigurinë e ndeshjes, do të angazhohen mbi 400 forca policie. Nuk do të lejohet marrja e fëmijëve të mitur pa u pajisur me biletë.

Të gjithë tifozët janë të lutur të mos kenë me vete sende të forta, shishe, fishekzjarre, etj. Në të kundert nuk do të lejohen të hyjnë në stadium. Të gjitha lokalet në afërsi të stadiumit nga ora 18:00 deri në përfundim të ndeshjes, do të jenë mbyllur. Drejtoria Policise Elbasan u kërkon qytetarëve që të minimizojnë në datë 19 Gusht, lëvizjen me automjet brenda qytetit të Elbasanit, çka do të sillte një ndihmesë të madhe në zhvillimin e këtij aktiviteti.