Dy shqiptarët e arrestuar në Angli, pasi dyshohet se depërtuan pa autorizim në rezidencën e Princit William dhe Princeshës Kate në pronën mbretërore Sandringham, në Norfolk, janë identifikuar si Mirgen Doku, 34 vjeç, nga Courtfield Gardens, Londër, dhe Arilen Ndoci, 32 vjeç. Ngjarja u regjistrua të hënën në mbrëmje, kur dy burrat dyshohet se hynë në ambientet e rezidencës Anmer Hall, duke aktivizuar sistemet e avancuara të sigurisë. Sipas raportimeve të mediave britanike, njëri prej tyre dyshohet se qëndronte ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Hetimet paraprake sugjerojnë se dy të arrestuarit mund të mos e kenë ditur se prona i përkiste çiftit mbretëror dhe se qëllimi i tyre mund të ketë qenë vjedhja. Megjithatë, autoritetet po verifikojnë të gjitha rrethanat për të përcaktuar motivin e hyrjes së tyre në pronë.
Sipas raportimeve, dyshja ishte e maskuar dhe arriti të aktivizonte sistemet e sigurisë së rezidencës, të cilat përfshijnë kamera vëzhgimi, sensorë lëvizjeje dhe teknologji lazer. Pas sinjalizimit, policia ndërmori një operacion të gjerë kërkimi, ku u angazhuan qen nuhatës, dronë dhe një helikopter i Shërbimit Kombëtar të Policisë Ajrore, i pajisur me kamera infra të kuqe. Të dy shqiptarët u lokalizuan dhe u arrestuan brenda territorit të pronës mbretërore.
Policia e Norfolkut konfirmoi se në momentin e incidentit nuk kishte persona në banesë. Ndërkohë, Mirgen Doku dhe Arilen Ndoci vijojnë të qëndrojnë në paraburgim, ndërsa hetimet për ngjarjen janë në zhvillim. Anmer Hall shërben si rezidencë pushimi për Princin William dhe Princeshën Kate. Prona iu dhurua çiftit nga Mbretëresha Elizabeth II me rastin e martesës së tyre në vitin 2011. Banesa kryesore e familjes ndodhet në Forest Lodge, në Windsor, ku çifti jeton së bashku me tre fëmijët e tyre.

