Gjykata ka rrëzuar padinë e Drake kundër Universal Music Group për prishje imazhi për shkak të këngës “Not Like Us” të Kendrick Lamar.
Reperi e ngriti padinë në janar duke akuzuar UMG, e cila i menaxhon të dy, për prishje imazhi duke lejuar publikimin dhe promovimin e këngës që sipas tij shpërndan “narrativë të rreme dhe dashakeqe”.
UMG u shpreh e kënaqur me rezultatin dhe është e gatshme të vijojë punën me yllin kanadez.
“Not Like Us” u publikua në maj të vitit 2024 dhe u konsiderua si goditje vendimtare në betejën mes dy rivalëve.
Është hit në karrierën e Lamar pasi prej saj ka siguruar pesë çmime Grammy dhe u kthye në një nga ngjarjet më të përfolura gjatë performancës së tij në Super Bowl në shkurt.
Gjykatësja Jeannette Vargas e quajti konfliktin mes tyre “beteja më famëkeqe e rap-it në historinë e këtij zhanri”. Në vendimin prej 38 faqesh, ajo shkroi se beteja e tyre që u zhvillua në shtatë këngë, ishte një “luftë fjalësh” që u kthye në temë për mediat dhe diskutimin online.
Drake nuk e përmend drejtpërdrejt Lamar në padi. Një zëdhënës i Drake tha se do ta apelojë vendimin.


