Tetris ilaç?

Ky ka qenë rezultati i një studimi të kërkuesve të Oxford që prej vitesh kërkojnë mënyra për të ndihmuar viktimat e aksidenteve, katastrofave, episodeve të dhunës, por edhe braktisjeve e problemeve familjare. Aftësitë kuruese të Tetris-it u testuan në një sërë eksperimentesh tek grupe vullnetarësh të cilëve ju treguan imazhe të dhunshme dhe shokuese. Ata që luajtën me tetris pas parjes së këtyre imazheve kanë ruajtur shumë më pak “flashback” (të këtyre imazheve traumatike) krahasuar me ata që nuk luajtën. “Kërkimet tona kanë evidentuar se Tetris mund të funksionojë nëse luhet brenda gjashtë orëve nga parja e imazheve traumatike. Gjithsesi kjo lojë nuk fshin kujtimet e këqija, por redukton rikthimin e tyre në mendje”,- shpegon Emily Holmes e Departamentit të Psikiatrisë në Universitetin e Oxford-it.

Por si është e mundur që loja e tetris të ketë një efekt të ngjashëm me atë të ilaçeve? Falë strukturës së trurit tonë që organizon mendime e emocione në dy dimensione të ndryshme: një ndjesor, që kap sinjalet që vijnë nga bota e jashtme nëpërmjet shikimit, dëgjimit, nuhatjes dhe shijes dhe një konceptual që përpunon këtë informacion të marrë. Kur lexojmë një tekst psh. ne arrijmë t’a kuptojmë e kur nuhasim një aromë arrijmë të kuptojmë se nga vjen. Zakonisht këto dy dimensione janë në ekuilibër me njëri-tjetrin dhe punojnë së bashku. Por një traumë mund të ç’balancojë këtë mekanizëm delikat dhe të amplifikojë në disporcion sferën perceptuese dhe ndjesore. Kjo është arsyeja përse të gjithë personat që kanë jetuar episode lufte apo aksidentesh shpesh nuk e kujtojnë si një histori si të tërë por si një bashkim fotosh pa lidhje me njëra – tjetrën që riprodhohen në mënyrë obsesive para syve të viktimës.

Advertisement

Të luash me Tetris në momentet pas ngjarjes traumatike e mban të zënë kanalin ndjesor të trurit, duke interferuar kështu në formimin e kujtimeve. Por kjo do të thotë që pas një aksidenti dhe ngjarje të pakëndshme mjafton të luash me videolojëra dhe çdo gjë rregullohet? Sigurisht që jo sugjerojnë shkencëtarët britanikë. Nga studimet është treguar se lojëra të tjera (të ndryshme nga tetris) mund të kenë efektin e kundërt, duke amplifikuar rikthimin e kujtimeve të hidhura dhe pasojat e traumës së jetuar. Sigurisht që shumë studime të tjera duhen kryer përpara se të thuhet me siguri se Tetris do të ndihmojë njësoj sikurse dhe ilaçet.