Vrasja makabre e Liridona Ademajt/ Ngrihet akuza, kërkohet dënim kapital…

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka përfunduar hetimet për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt dhe ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Pllana dhe Kushtrim Kokallës.

Prokuroria ka thënë se ka ngritur aktakuzë dhe ndaj një personi të katërt, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, por që u tha se nuk ka qenë direkt i përfshirë në kryerjen e vrasjes.

Advertisement

Prokuroria nuk ka folur shumë as për motivin e vrasjes, duke thënë vetëm se Naimi dhe Liridona kanë pasur probleme martesore dhe financiare.

Naim Murseli, ish-bashkëshorti i Ademajt, akuzohet se ka përgatitur planin për ta vrarë Liridonën më 29 nëntor të vitit 2023. Granit Plava akuzohet si autori i krimit, ndërsa Kushtrimi Kokalla, ish-pjesëtar i Forcës së Sigurisë (FSK), akuzohet se ka dhënë ndihmë në kryerjen e veprës penale. Të tre janë në paraburgim. Në akuzë është përfshirë edhe një i dyshuar i katërt, që nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në rastin konkret.

Prokurorja e çështjes, Javorka Perlinçeviç, tha se e vetmja gjë që ka vonuar ngritjen e aktakuzës ka qenë zbulimi i motivit që e ka shtyrë Naim Murselin ta planifikojë vrasjen e bashkëshortes.

Ajo bëri të ditur se kanë kërkuar përgjigje nga shteti i Suedisë, aty ku ka jetuar çifti më herët.

Për detajet e aktakuzës nuk mund të flasim. Çka ka munguar është motivi që e ka shtyrë Naim Murselin ta vrasë Liridona Ademajn. Kemi shfrytëzuar ndihmën ndërkombëtare nga Mbretëria e Suedisë dhe për këtë arsye organeve të Suedisë i jemi drejtuar të na dërgojë të dhëna për jetën e tyre familjare. Kemi marrë përgjigje në pyetjet që kemi dërguar atje dhe atëherë kemi mundur të kemi pasqyrën e plotë të ngjarjes. Përderisa kanë jetuar në Suedi kanë pasur marrëdhënie të çrregulluara dhe kanë pasur çështje edhe financiare. Për të gjithë emrat e të pandehurve në këtë lëndë e dimë se kush janë. Keni dëgjuar emrin e njërit që i ka planifikuar të gjitha e ai është Naim Murseli…”, tha Perlinçeviç.