Për një person me staturë mesatare shtimi me 15 kg krahasimisht me peshën ideale, rrit me 30% rrezikun nga vdekja e parakohshme. Këto janë shifra të nxjerra nga një raport me titiull ‘Obesity and the economics of prevention: fit not fat’ përpunuar nga OCSE (organizata për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik). Raporti krahason për herë të parë të dhënat mbi obezitetin në 11 vende. Sipas këtij raporti përsonat obezë jetojnë mesatarisht 8 – 10 vite më pak krahasuar me personat që kanë peshë normale, kjo për shkak të rritjes së rrezikshmërisë së prekjes nga sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe tumori.
Studimi ka nxjerrë në pah faktin se gjatësia dhe pesha e individëve në botë, ka pësuar rritje që prej shekullit të 18-të. Trendi i këtyre parametrave ka regjistruar një rritje konstante deri në vitin 1980, vit në të cilin BMI e personave nga shumë vende u rrit me dy apo tre herë më shpejt se në shekullin paraardhës. Kështu niveli i obezitetit në këto 30 vitet e fundit është rritur me 10%, por në disa vende është gati dyfishuar. Gati 50% e popullsisë që u morr në studim është mbipeshë, praktikisht një në dy persona. Ky është një fenomen që prek përgjithësisht femrat. Sipas OCSE një faktor që ndikon është arsimi i paktë. Shihet se femrat me arsim të ulët janë më në mbipeshë se ato me shkollim më të lartë. Një tjetër faktor determinues në rritjen e numrit të personave obezë janë dhe familjet. Në studim thuhet se fëmijët me të paktën një prind obez kanë tre apo katër herë më tepër shanse për t’u bërë obezë, kjo për shkak të gjenetikës por edhe të shembullit negativ që u jepet nga prindërit obezë që nuk ndjekin një stil jete të shëndetshëm.