Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi shprehet i bindur se Partia Socialiste do të fitojë shumicën e bashkive të vendit më 14 Maj.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Klosi thotë se bashkitë që ato do të humbasin do të numërohen me gishtat e dorës teksa shton se fitoren e PS-së e bazon tek punët që ata kanë bërë.
Blendi Klosi: Kush fiton, nuk besoj se kjo ka nevojë për përgjigje, ne dalim shumë mirë, fitorja e PS do të jetë e qartë në të gjitha bashkitë e mëdha dhe në shumë bashki të nivelit të dytë. Nuk besoj se do të humbasim më shumë se gishtat e dorës bashkitë, nuk mendoj se kemi garë nga veriu në jug. Më në fund, punët që dimë të bëjmë ne, dinë të flasin vetë, nuk do të konsumojmë kohë televizive, do të flasim me njerëzit. Besimin se do të fitojmë e kemi nga punët që kemi bërë. Asnjë çedim nuk ka në mesazhin dhe në qartësinë tonë për të qenë bashkë me qytetarët. Nuk kemi frikë nga askush dhe aq më pak nga individë të politikës. Ajo që kemi shqetësim nuk është kundërshtari, por mënyra se si i kemi shërbyer qytetarëve dhe se a janë të kënaqur apo jo ato me ne.