Tiranë – Berisha përshëndet miratimin e rezolutës së Shqipërisë në PE

Ndaj dua t’i falënderoj europarlamentarët dhe t’u shpreh mirënjohjen e thellë për votëbesimin e shkëlqyer që dhanë ndaj qytetarëve shqiptarë”. Me këto fjalë, kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë, ka përshëndetur miratimin në komisionin e Jashtëm të PE-së së rezolutës për procesin integrues të Shqipërisë, e cila parashikon liberalizimin e afërt të vizave me Bashkimin Evropian, brenda vitit 2010. Sipas tij, “dita e sotme shënon një arritje madhore në procesin e heqjes përfundimtare të vizave, proces ku sipas Traktatit të Lisbonës, Parlamenti Evropian ka një zë përcaktues”. “Votimi i sotëm ishte solidaritet i ndershëm dhe miqësor i përpjekjeve të qeverisë dhe gjithë institucioneve të vendit, të cilat me përkushtim të madh kanë punuar për të kthyer në realitet të gjitha kërkesat e Udhërrëfyesit”, tha më tej kreu i qeverisë. Berisha nënvizoi se “ka qenë pikërisht ky seriozitet i qeverisë dhe institucioneve shqiptare, si edhe reformat e thella të cilat zhdukën çdo lloj hezitimi për t’u dhënë të drejtën e lëvizjes së lirë në hapësirën Shengen qytetarëve shqiptarë”. “Por edhe i seriozitetit të madh me të cilin ne e kemi trajtuar këtë çështje për t’u garantuar qytetarëve një dimension të madh, atë të lëvizjes pa viza në Bashkimin Evropian”, shtoi ai. Në fund, këtë çështje ai e përmbylli duke thënë se “procesi është i pandalshëm dhe se qeveria do të angazhohet për të zbatuar edhe tre rekomandimet e Komisionit Evropian të njoftuara nga komisionerja Malstrom”.

Advertisement