Çfarë është Metoda 369?

Sikurse e dimë tashmë, TikTok është shtëpia e shumë trendeve, teorive dhe sfidave të ndryshme.

Së fundmi, aplikacioni po bën viral atë që njihet si “Metoda 369”. Kjo metodë thuhet se po funksionon për një numër përdoruesish, të cilët thonë se po marrin para, famë dhe më shumë.

Advertisement

Po çfarë është “Metoda 369”?

Ajo njihet si një teknikë manifestimi. Besimtarët pohojnë se kjo metodë lejon praktikuesit të shfrytëzojnë fuqinë e Universit, duke i ndihmuar ata të përmbushin ëndrrat dhe dëshirat e tyre.

Metoda është frymëzuar nga “Kodi Hyjnor” 369 (Divine Code), i Nikola Tesla, i cili thotë se dukuritë e universit mund të përvetësohen duke studiuar me kujdes tre shifrat.

Ka shumë interpretime të “teorisë” së Teslës. Sidoqoftë, më e zakonshmja u kërkon praktikuesve të zgjedhin tre gjëra sipas dëshirës, t’i thonë me zë të lartë gjashtë herë në ditë dhe më në fund të përqendrohen në to për nëntë sekonda, direkt pasi i thonë me zë të lartë. Kaq!

Pas 21 ditësh, “dëshirat” e tyre do të fillojnë të manifestohen.

Interpretimi i TikTok

Krijuesja e metodës së manifestimit 369, Karin Yee, ka kombinuar filozofinë e Teslës me rregullin 17-sekondësh të Abraham-Hicks. Sipas Abraham-Hicks, nëse përqendrohesh te një mendim vetëm për 17 sekonda, energjitë hyjnore fillojnë të punojnë për atë ide/mendim.

Si funksionon Metoda 369?

Metoda në përgjithësi ju tregon të përqendroheni në gjërat që dëshironi nga jeta juaj dhe t’i shkruani ato diku. Yee këshillon ndjekësit e saj të shkruajnë qëllimet e tyre, tre herë në mëngjes, gjashtë herë rreth mesit të ditës dhe së fundmi, nëntë herë para se të flenë.

Ajo gjithashtu kërkon që njerëzit që do ta praktikojnë metodën, të jenë sa më shprehës për ta lënë universin në dijeni se çfarë duan dhe se si duan të ndihen.

A është Manifestimi 369 i vërtetë?

Ndonëse shumë njerëz e mbështesin të gjithë idenë, edhe ky mbetet sidoqoftë thjesht “trendi” i radhës në TikTok. Asgjë nuk mund të vijë pa dhënë maksimumin dhe pa punuar për atë që dëshiron, por mbajtja shënim e qëllimeve është sidoqoftë, një mënyrë shumë e mirë për t’i rikujtuar vetes pse po e bën këtë dhe për të qëndruar i motivuar.