Filmi debutues i Antoneta Kastratit, “Zana”, mahniti publikun me premierën e tij botërore në festivalin e madh të Torontos në Kanadë, thotë Qendra Kinematografike përmes një njoftimi për media.
Sipas kumtesës, filmi “Zana” është një dramë tronditëse dhe emocionuese që përcjellë një grua të re kosovare që përpiqet të bëhet nënë, përderisa ballafaqohet me tmerret nga e kaluara e saj e errët e kohës së luftës.
Me rastin e premierës botërore, regjisorja e filmit Antoneta Kastrati u shpreh se premiera në Toronto është shumë e rëndësishme për të.
“Filmi i gjatë merr shumë kohë dhe mund. Për mua ishte një proces 5 vjeçar dhe disi gjatë gjithë kohës punon me një besim të brendshëm por pa garancion që kur përfundohet filmi ai do të arrijë ta gjej audiencën dhe të vlerësohet. Premiera në Toronto është shumë e rëndësishme për mua pikërisht sepse filmi do të shfaqet para një audience të gjerë, dhe është ndjenjë edhe më e veçantë ta ndajmë filmin me publikun botërorë duke e përfaqësuar Kosovën në këtë festival të madh bashkë me aktorët dhe ekipin kosovar”, ka thënë ajo.
Në Kosovë filmi do të filloj të shfaqet nga data 20 shtator në Cineplexx.
Mbështetësit kryesorë financiarë të filmit janë Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë̈ (Shqipëri), Panavision New Fimmaker Grant, SFFILM Rainin Grant, Light Iron dhe komuna e Pejës.
Filmi “Zana” producent ka Casey Cooper Johnson dhe bashkëproducentë Sevdije Kastrati me Crossing Bridges Films (Kosovë), Dritan Huqi me On Film Production (Shqipëri), dhe Miguel Govea dhe Brett Walker nga Alief. Në rolet kryesore luajnë Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Fatmire Sahiti, Mensur Safqiu, Vedat Bajrami, Irena Cahani, Shengyl Ismajli, Çun Lajçi, Ilire Vinca etj.
/GazetaObserver/