Rama, ekspozitë në Norvegji/ Veprat e kryeministrit shqiptar kërkohen nga muzeu i punimeve me kobalt

Muzeu i punimeve me kobalt në Norvegji ka kërkuar të ketë vepra të kryeministrit Edi Rama për një ekspozitë që do të organizojë në vitin 2020. Arti i tij do të vendoset përkrah veprave të tjera të pikturuara nga drejtues shteti si Uinston Çërçill dhe presidenti amerikan, Duajt Ajzenhauer.

Muzeu i punimeve me kobalt ndodhet në një zonë historike të Oslos dhe pret mesatarisht 170 mijë vizitorë në sezon dhe me 50 vite përvojë me kurimet dhe organizimet e ekspozitave të rëndësishme aty janë shfaqur veprat e mjeshtërve nordikë të pikturës. Në vitin 2018 u nderua me çmimin “Muzeu i vitit”.

Advertisement

Ekspozita e fundit e kryeministrit Edi Rama ka qenë në Berlin, në janar të këtij viti.

Artistë, gazetarë, kritikë arti apo miq i kanë përcaktuar hapësirat e ekspozimit të tij njëlloj sikur të hysh në kokën e artistit, pak a shumë në shqetësimin e tij krijues me tapete murale të mbushura plot me vizatimet e tij shumëngjyrëshe përgjatë rutinës ditore.

Janë vizatime mbi letra të lloj-llojshme si një mënyrë për të prodhuar art duke e shndërruar hapësirën e punës në muzeun e tij. Skulptura qeramike me forma abstrakte, me dritë dhe detaje të shumta ngjyrash në to si një përkthim tredimensional të pikturave të tij, duke dhënë përmes këtyre elementëve autenticitetin dhe stilin e tij unik.

Ekspozitat e tij vetjake janë pasqyruar në mediet e huaja me artikuj dashamirës. Shpesh në këto artikuj, shikimi është kthyer nga e shkuara, tek Edi Rama kryebashkiak, ku me ngjyrosjen e godinave komuniste, qyteti dukej më i ri. Vetë ai është shprehur që ky ka qenë më shumë një akt politik, sesa artistik, një lloj terapie përmes së bukurës, ndërsa po ashtu ka thënë se politika me çmendurinë e saj mund ta bëjë artin edhe më të mirë.

Megjithëse ato janë dy botë krejt të ndryshme, ai ka ditur të bashkëjetojë mes tyre.

Edi Rama ka çelur ekspozita në galeritë më prestigjioze në shumë shtete të botës si dhe në Bienalen e Venecias.

/ATA/