Suedia ka miratuar një ligj të ri, sipas të cilit seksi jokonsensual konsiderohet tashmë përdhunim, edhe nëse nuk shoqërohet me kërcënime apo me ushtrim force.
Legjislacioni i ri, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 korrik, thotë se një person duhet të japë konsensusin e qartë, verbale apo fizike. Prokurorëve nuk do t’iu duhet më të provojnë ushtrimin e dhunës, apo nëse viktima e abuzimit është në situatë të pambrojtur, në mënyrë që të hetojnë apo ngrejnë akuza për përdhunim.
Aktivistët kanë brohoritur ndryshimin, por kritikët thonë se ligji gjithsesi nuk do të shtojë numrin e dënimeve për përdhunim.
Me ligjin e ri, të miratuar në Parlament me 257 vota pro dhe 38 kundër, Suedia iu bashkohet vendeve të tjera europiane si Britania e Madhe dhe Gjermania, ku seksi jokonsensual konsiderohet përdhunim.
Sipas ligjit, mungesa e dhënies së konsensusit është e mjaftueshme për të konstituuar një krim. Në momentin e propozimit të këtij legjislacioni, qeveria tha se ai duhet të bazohet ekzaktësisht në faktin që “seksi duhet të jetë vullnetar”.
Teksti i ligjit të miratuar ndalet shkurtimisht se shprehja e pëlqimit nuk është kusht për kryerjen e marrëdhënieve seksuale, por thekson se pasiviteti nuk nënkupton miratimin për të kryer seks.
“Nëse një person dëshiron të kryejë marrëdhënie seksuale me dikë që mbetet inaktiv, apo jep sinjale të paqarta, ai ose ajo duhet të zbulojë nëse personi tjetër dëshiron vërtet të avancojë më tej”.
Bazuar mbi ligjin e vjetër, prokurorëve iu duhej të provonin se agresori kishte ushtruar dhunë, ose se viktima ishte shfrytëzuar në gjendje të pambrojtur, si për shembull nën ndikimin e alkoolit, në mënyrë që të mund të akuzonin dikë për përdhunim.
Ligji prezanton gjithashtu dy shkelje të reja: përdhunim neglizhent dhe abuzim seksual neglizhent, që dënohen me maksimumin 4 vite burgim. “Aspekti neglizhent fokusohet në faktin se një nga palët nuk merr pjesë vullnetarisht”, tha qeveria, duke shtuar se ky ligj do të sjellë si pasojë dënimin e më shumë njerëzve për abuzime seksuale. /Top Channel/