Pasi ka marrë vendimin e dhënë nga gjykata në sallën e Gjyqit, Mikel Kasaj ka kërcyer mbi tavolinën e të pandehurit, duke u larguar nga dera e gjyqtarit dhe jo dera kryesore e sallës.
Nga pamjet duket se policët shoqërues të burgut e ndjekin menjëherë, por Mikeli është “zhdukur” nëpër korridoret e gjykatës, dhe ka dalë menjëherë përjashta, raporton Top Channel.
Policia kërkon bashkëpunimin dhe ndihmesën e çdokujt që e sheh shtetasin e dënuar Mikel Kasaj, duke kërkuar që të telefonohet në numrin 129.
Njoftimi i policisë:
Më datë 23.05.2018, rreth orës 10:25, Salla Operative Vlorë është njoftuar se prej ambienteve të Gjykatës Vlorë ku shërbimet e IEVP-së kishin dërguar për masë sigurie shtetasin Mikel Kasa, 29 vjeç, ky i fundit është arratisur. Shërbimet policore të IEVP-së gjatë shoqërimit të këtij shtetasi në ambientet e Gjykatës nuk kanë kërkuar mbështetjen e forcave policore të DVP Vlorë. Aktualisht nga ana e Drejtorisë Vendore e Policisë Vlorë janë ngritur disa grupe kontrolli dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen dhe ndalimin e këtij shtetasi. Policia kërkon bashkëpunimin dhe ndihmesën e çdokujt që e sheh shtetasin e dënuar Mikel Kasaj, 29 vjeç, i cili ditën e sotme mundi të arratisej nga ambientet e Gjykatës Vlorë, të telefonojnë në numrin e telefonit 129.