Platforma televizive DigitAlb i ka kthyer një përgjigje zyrtare gazetarit Mustafa Nano, pas komenteve që ky i fundit bëri ndaj veshjeve të moderatores së “Procesit Sportiv” Ilda Bejleri.
Kujtojmë se Nano kritikoi negativisht veshjet televizive të moderatores dhe i quajti “të trishtueshme, vulgare, të pahijshme, gait-gati fyese”.
Për këtë, në deklaratën e cila u bë publike në emisionin “Top Show Magazine” në Top Channel, DigitAlb ka treguar se ky është një debat i ngritur gabimisht dhe nëse ka diçka për t’u kritikuar në veshjen, sjelljen, gazetarinë, regjinë e transmetimit apo edhe të çfarëdo elementi tjetër të një emisioni përgjegjësia është e medias përkatëse dhe debati e kritikat i duhen drejtuar drejtë saj.
Më poshtë deklarata e plotë e DigitAlb:
Ai është një debat i ngritur gabimisht mes një jo profesionisti të fushës dhe një moderatoreje, kur duhet të ishte një debat mes një profesionisti dhe një televizioni. Nëse ka diçka për tu kritikuar në veshjen, sjelljen, gazetarinë, regjinë, cilësinë e transmetimit apo edhe të çfarëdo elementi tjetër të një emisioni përgjegjësia është e medias përkatëse dhe debati e kritikat duhen drejtuar drejtë saj. Televizioni par ata që janë profesionistë të fushës është puna e një grupi njerzish ku përgjegjësitë nuk i mban vetëm ai që del në ekran por krejt ekipi që punon për të realizuar një produkt televiziv.
Per rastin konkret, moderatorja e sulmuar znjsh. Ilda Bejleri, është njëkohësisht gazetare, moderatore dhe imazh. Në performancën e saj televizive ajo i sjell të treja këto cilësi në ekran, sepse të treja janë pjesë e punës dhe e personalitetit të saj. Gjykimi i vetëm njërit element të shkëputur nga të tjerët është thjeshtë dëshirë për protagonizëm duke nxjerrë atë element jashtë së tërës.
DigitAlb në tërë produktet e veta ndjek nga afër modelet dhe standartet më të mira europiane, qofshin ato teknologjike dhe kreative. Ndërthurja e cilësisë së përmbajtjes me një imazh sa më bashkëkohor që të vijë sa më pranë nevojave të publikut të dekadës së dytë të mijëvjeçarit është sfida jonë kryesore, të cilën e marrim me shumë seriozitet.
Televizioni shqiptar ka shumë nevojë për debat, një debat të hapur, publik dhe pa kompromise. Televizioni shqiptar vuan nga mungesa e profesionistëve dhe zëvendësimi i tye me surrogato në moshë të vonuar;
vuan nga seksizmi pa profesionalizëm dhe imazhi pa përmbajtje; vuan nga gjithologët që flasin për gjithçka e dalin në çdo studio dhe së fundmi edhe si moderator programesh, e cila po bëhet një tendencë; nga varfëria e ideve dhe përsonaliteteve atelevizive; vuan nga të vjetrit që nuk i lënë vend të rinjve; por mbi të gjitha vuan sepse televizionin e vbëjnë ata që nuk e njohin televizionin.
Pe të tëra këto ka shumë debat veçse ky debat duhet të vijë nga profesionistët dhe ata që e njohin fushën. Një debat i nisur vetëm për audiencë personale dhe me sulme personale nuk i ndihmon askujt, madje as atij që e nis.