Reshjet e dendura të shiut gjatë të shtunës, kanë krijuar probleme në disa zona të vendit.
Nisur nga situata e krijuar, Policia e Shtetit prej ditës së djeshme ka kaluar në gadishmëri të përforcuar.
Në të gjitha qarqet shërbimet e Policisë janë angazhuar në ndihmë të banorëve ku është kërkuar ndihmë.
Në Fier, Vlorë e Shkodër janë dërguar grupe të FNSH-së dhe të Delta Forcë.
Në Ferras e Novoselë ndodhen 2 njësi të FNSH- së Fier dhe 2 njësi të Deltës me makina me kalueshmeri të lartë dhe varka e gomone.
Në fshatin Theth Shkodër është kërkuar ndihmë për ta trasportuar drejt spitalit Shkodër një shtetase të huaj e cila ka shfaqur probleme shëndetësore. Janë dërguar shërbimet e Policisë me mjet policie të larte dhe mjekun e zonës.
Shërbimet e Policisë në Gjirokastër gjatë mbrëmjes janë angazhuar në evakuimin e banorëve të një pallati ku ka pasur shkarje dheu dhe rrezikohej pallati.
Në të gjitha akset rrugore, Policia Rrugore ka shtuar prezencën për të orientuar e ndihmuar drejtuesit e mjeteve për shkak të prezencës së ujit në rrugë apo të dëborës në zonat e thella.
Patrullat e Përgjithshme në të gjithë territorin janë në patrullim të pandërprere duke ju ardhur në ndihmë disa banorëve në qytete të ndryshme e fshatra që kanë kërkuar ndihmën e Policisë.
Në të gjitha Sallat Operative të Policisë është përforcuar shërbimi duke iu përgjigjur në kohë reale çdo telefonate të ardhur nga banorët në zona të ndryshme.
“Policia e Shtetit është në gadishmëri të plotë duke bashkëpunuar e koordinuar veprimet me Emergjencat Civile dhe për çdo nevojë dhe ndihmë nga forcat e policisë, qytetarët të kontaktojnë në numrat e telefonit pa pagesë 112 e 129. Gjithashtu në rast neglizhence nga punonjësit e policisë qytetarët të telefonojnë në numrin pa pagesë 0800 90 90 duke ju garantuar reagim të shpejtë e të paanshëm”, thuhet në njoftimin e policisë.