Asteroidi që goditi Tokën 66 milionë vite më parë shfarosi treçerekun e gjallesave që popullonin planetin tonë në atë kohë, përfshirë këtu dinosaurët.
Ky event u dha mundësi mamalëve dhe njerëzimit që të lulëzojnë në miliona vitet pasaardhëse për t’i dhënë formë një planeti siç e njohim ne sot.
Por nëse asteroidi do të kishte goditur vetëm 30 sekonda më herët, ose 30 sekonda më vonë, dinosaurët ndoshta do të ishin ende dominuesit e këtij planeti dhe ne me gjasa nuk do të ekzistonim.
Ky është përfundimi i një studimi milionadollarësh të BBC2. Grupi i shkencëtarëve të rrjetit televiziv britanik studiuan me aparatura të fjalës së fundit në Gjirin e Meksikës, ku goditi asteroidi 66 milionë vite më parë.
Në këtë periudhë, shkencëtarët thonë se pika ku u përplas trupi qiellor ishte tokë dhe përplasja shkaktoi një krater 230 kilometra të gjerë dhe 42 kilometra të thellë, si dhe re të mëdha pluhuri dhe tymi që qëndroi për vite me radhë në atmosferën e Tokës. Kjo re i dha dorën e fundit shfarosjes së nisur me impaktin fillestar.
Sipas shkencëtarëve, nëse asteroidi do të kishte goditur 30 sekonda më herët, ose 30 sekonda më vonë, vendi i përplasjes do të ishte në oqean dhe kështu do të shmangej reja e tymit e ngritur në qiell.
Ky përfundim është arritur nga profesorët Sean Gulick dhe Joanna Morgan, të cilët kanë gjetur përbërje të lartë sulfuri në shkëmbinjtë që ndodhen në tabanin e Gjirit të Meksikës.
Puna e tyre kërkimore do të shfaqet në dokumentarin me titull “Dita kur vdiqën dinosaurët!” në BBC2.