Një 15-vjeçare ka ndërruar jetë gjatë një operacioni në një spital privat në Tiranë, ndërsa më pas mjeku anestezist që asistonte në operacion ka tentuar të kryejë vetëvrasje.
Sipas policisë, ngjarja është shënuar rreth orës 01:00.
Vajza që humbi jetën është identifikuar me inicialet B.P, 15 vjeçe, ndërsa mjeku anestezist është identifikuar me inicialet T. Zh, 53 vjeç.
“Mjeku anastezist T. Zh., 53 vjeç, banues në Tiranë, ka tentuar të kryeje vetëvrasje, duke injektuar në trup prepart lëndë anastezie. Ai ndodhet në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore duke u mbajtur nën kujdes mjekësor”, njofton policia.
Babai i Blertës tregon për Top Channel ngjarjen tragjike si dhe kërkon që drejtësia të veprojë.
“Doli mjeku ortoped, ishte gjerman tha çdo gjë ok. Kërkoj që drejtësia të merret me këtë spital, me mënyrat më ekstreme që ka ky shtet. Kam paguar 3500 euro, gjysmat se të tjerat do i merrnin mbrapa. Ata më thanë se vajza është e sigurtë e do dalë shëndoshë ndërkohë që ma morën në lulen e rinisë”, rrëfen Bardhi Pepa, i ati i Blerta Pepës.
Sipas familjarëve të Blertës, ajo vunte nga alergjia megjithatë grupi hetimor ka sekuestruar kartelën mjekesore të 15-vjeçares, për të parë nëse bluzat e bardha të spitalit “Continental” kanë ndjekur procedurat standarte. Në shtëpinë e Blertës janë hapur dyert e mortit.