Fansi që admironte Luana Vjollcën, por në një mënyrë të frikshme, shqetësuese dhe që të mërkurën u bë shkak i një incidenti të rëndë, është një 32vjeçar nga Tepelena, që jeton në periferi të Tiranës.
Ai është Besmir Lila, banues në Lundër, pranë një qendre tregtare, që për shumë vite kishte jetuar në Britaninë e Madhe. Madje, sipas të dhënave, edhe arsyeja e kthimit të tij nga Londra ka qenë fiksimi që kishte për Luana Vjollcën.
“Panorama” shkruan se gjatë deklarimeve që ka dhënë në polici, Lila ka deklaruar se nuk ishte thjesht një fiksim, por ishte një pëlqim i sinqertë që ai kishte për Luanën dhe këmbëngulte që ta takonte, qoftë edhe thjesht për të pirë një kafe me të. Ndërsa nuk ka shpjeguar se përse lëvizte me një armë me vete. “Jemi të dashuruar. Luana më ka premtuar se këto ditë do të martoheshim”. Kështu e ka nisur rrëfimin e tij në polici, 32vjeçari.
Besmir Lila, i cili ka përfunduar në pranga me akuzën e përndjekjes ndaj moderatores së “Top Channel”, Luana Vjollca, shkruan “GSH”. Burime pranë policisë thanë dje për “GSH” se që në fillim të dëshmisë, Besmir Lila ka rrëfyer se me Luanën ishte i dashuruar dhe kishte vendosur të bënte gjithçka për të.
I riu nga Tepelena kishte filluar prej kohësh të shfaqte pëlqimin që kishte ndaj saj nëpërmjet rrjeteve sociale. Vazhdimisht postonte fotografi dhe video të Luanës dhe shpërndante edhe për miqtë çdo postim që ajo bënte në profilin e saj në “Facebook”. Ndërsa muajt e fundit, që nga dhjetori i vitit të kaluar e deri tani, ai i shkruante mesazhe Luanës, kryesisht në “Instagram”. Mesazhe që ishin kthyer në shqetësim për moderatoren 26vjeçare, pasi ai i dinte edhe adresën e shtëpisë e të punës, madje e priste vazhdimisht aty. Herë i shkruante se ndodhej poshtë shtëpisë së saj, duke e pyetur nëse mund të ngjitej lart e ta takonte e herë i shkruante se ndodhej pranë punës së saj në Mëzez dhe po e priste derisa ajo të mbaronte.