Në qytetin e Pejës është arrestuar mëngjesin e së premtes një person për nxitje të akteve terroriste nëpërmjet rrjeteve sociale. Sipas “TV Dukagjinit” ai identifikohet si Rakip Abdyli, nga Opoja. Arrestimi vjen pas paralajmërimeve që Ambasada Amerikane në Prishtinë ka lëshuar për shtetasit e saj që jetojnë në Kosovë, që të kenë kujdes gjatë festës së Pashkëve. “Terroristët në rajon janë përpjekur më herët që të sulmojnë objektiva si kisha apo vende kulti, sheshe, stadiume, skena koncerti, apo tubime publike”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane, që i bën thirrje shtetasve të saj që të jenë vigjilentë dhe për sigurinë e tyre të jenë të vëmendshëm ndaj ngjarjeve dhe përditësimeve të lajmeve në televizionet lokale.

Njoftimi shoqërohet me udhëzime në rast të një sulmi terrorist në qytetin ku ata jetojnë. Në lidhje me situatën, kryeministri kosovar Isa Mustafa mblodhi Këshillin e Sigurisë, ndërkohë që mediat në Kosovë citojnë zyrtarë të lartë të policisë që pranojnë se po i marrin seriozisht sinjalizimet për sulme të mundshme terroriste.

Advertisement

Agjencia “Kosova Press” raporton se pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë me pushime, janë thirrur në punë dhe orari i punës së tyre, nga 8 orë, është zgjatur në 12 orë dhe janë shtuar masat e sigurisë rreth kishave.