Gjatë një prononcimi televiziv, ambasadori jonë në Maqedoni, Arben Çejku ka shpjeguar se për lëvizjen e qytetarëve të dy vendeve do të funksionojnë marrëveshjet dypalëshe të nënshkruara mes këtyre dy vendeve. “Absolutisht që nuk ka mundësi për regres, para nesh ka hapësira për lëvizjen e lirë. Në themel të lëvizjes së shqiptarëve është marrëveshja jonë dypalëshe dhe njëkohësisht të dyja qeveritë kanë shprehur vullnetin e tyre të përbashkët për një bashkëpunim dhe për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave”, tha Çejku. Vetëm një ditë pas kërkesave të paraqitura nga partitë shqiptare të Maqedonisë, ku kërkohet që Shqipëria të vendosë veton për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO deri në implementimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit, Çejku ka deklaruar të kundërtën. Ndër prioritetet e punës diplomatike në këtë shtet, Cejku rendit edhe mbështetjen e shtetit fqinj në anëtarësimin e tij në strukturën euroatlantike. “Avancimi i bashkëpunimit ndërfqinjësor, ndihma për avancimin e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe ndihma për anëtarësimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO, janë fushat kryesore në të cilat është duke punuar Ambasada e Shqipërisë në Maqedoni”, u shpreh Çejku. Diplomati shqiptar shprehet se kemi një bashkëpunim shembullor, jo vetëm si dy vende fqinje, por edhe në aspektin rajonal.